Shpërndaje në: Pak pas fundit të ndeshjes me Afrikën e Jugut, të dielën mbrëma, selektori i Kanadasë, Jesse Marsch, mblodhi lojtarët e tij dhe mbajti një fjalim frymëzues. “Heronjtë e Kanadasë”, e quajti ai ekipin e futbollit që fitoi për herë të parë ndeshje të fazës nokaut në Botëror dhe arriti në 1/8 e finales.
“E ardhmja e sportit në këtë vend është madhështore për shkakun tuaj”, ka vazhduar Marsch. Ai është i njohur për komentet e zjarrta. Por këtë herë fjalimi i tij ishte i bazuar. Futbolli në Kanada po ndryshon. “Tani po njihet si futboll, jo si ‘soccer’”, tha një tifoz. “Kanada po bëhet vend i futbollit”. Ky ishte synimi i Marschit kur u bë selektor i Kanadasë dy vjet më parë.
Dukej mision i pamundur për vendin ku sporti kryesor është hokeji mbi akull. Meksika e organizoi ndeshjen e parë, ndërsa në SHBA luhet finalja. Shumë më pak vëmendje kishte për Kanadanë, që në një mënyrë ishte si “nikoqire e harruar” e Botërorit, shkruan BBC. Por kanadezët përfunduan punën e tyre, duke ndikuar që interesimi të rritet edhe me sukses në fushë.
Kapiteni i Kanadasë, Alphonso Davies është mësuar me turma të mëdha e të çmendura pas futbollit. Ai luan për Bayernin. Por Davies ka vënë re ndryshimin në Kanada që nga fillimi i Kupës së Botës. Ai qau kur pa shumë tifozë me fanella të përfaqësueses për ndeshjen e parë në Toronto.
“Nuk kam parë kurrë kaq shumë kanadezë në një ndeshje të futbollit më parë”, tha Davies për ndeshjen ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Në ndeshjen e parë të fazës nokaut, Kanadaja fitoi 1:0 ndaj Afrikës së Jugut, kurse e shënoi golin në minutat shtesë. Natyrisht, nuk duhet nënvlerësuar paraqitja në fushë e kanadezëve.
Para këtij Botërori, ata kishin gjashtë ndeshje e gjashtë humbje në skenën globale. Por menjëherë morën pikë historike ndaj boshnjaëve. Erdhi fitorja 6:0 ndaj Katarit, ndërsa humbja nga Zvicra mohoi mundësinë që Kanadaja të luante në shtëpi ndeshjen ndaj Afrikës së Jugut. Por numër i madh i tifozëve udhëtuan për ta mbështetur përfaqësuesen në Los Angeles të SHBA-së.
Është hera e parë në histori që një vend organizator i Kupës së Botës luajti jashtë vendit të tij. Dhe dukej sikur Kanadaja po luante në shtëpi, për shkak të mbështetjes së madhe nga tifozët. Ndeshje shumë më e vështirë e pret Kanadanë në raundin tjetër. Por pavarësisht rezultatit, futbolli ka ndryshuar në Kanada.
Tifozët kujtojnë kohën kur ishin pakicë edhe në ndeshjet e Kanadasë në shtëpi. Tani kanadezët po bëhen gati për ndeshjen e dytë me eliminim direkt në Botëror, me synim për befasinë e madhe.
