Shqipëria anëtare e Komitetit të UNESCO-s, Rama: Moment krenarie

0%

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka cilësuar si një “lajm fantastik nga Parisi” zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s për mandatin 2026–2030. Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se Shqipëria ka fituar besimin e komunitetit ndërkombëtar me 73 vota në favor, duke marrë një rol aktiv në forumin më të rëndësishëm global për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore. “Lajm fantastik nga Parisi! Shqipëria zgjidhet anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO për mandatin 2026–2030. Me 73 vota në favor, vendi ynë ka fituar besimin e komunitetit ndërkombëtar për të marrë një rol aktiv në forumin më të rëndësishëm global për vendimmarrje në mbrojtjen, promovimin dhe rritjen e kapaciteteve të trashëgimisë kulturore jomateriale”, shkruan Rama. Kryeministri e konsideron këtë arritje edhe si një vlerësim të punës së institucioneve të vendit. Si pjesë e Komitetit Ndërqeveritar, Rama shkruan se Shqipëria, në këtë mandat 4-vjeçar, do të ketë mundësinë të kontribuojë drejtpërdrejt në zbatimin e Konventës së UNESCO-s të vitit 2003 për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale, duke forcuar rolin e saj në mbrojtjen e vlerave kulturore dhe në rritjen e kapaciteteve për ruajtjen e tyre. “Ky është një moment krenarie për Shqipërinë dhe një vlerësim i punës së institucioneve tona, ekspertëve, komuniteteve bartëse të trashëgimisë dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë kontribuar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e pasurisë tonë shpirtërore. Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjitha shtetet që mbështetën kandidaturën e Shqipërisë dhe na besuan këtë mandat katërvjeçar. Ky besim është një përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar, Shqipëria do të kontribuojë aktivisht në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të Konventës 2003 të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale”, thekson Rama.

Burimi: Bota Sot