Vala e të nxehtit në Evropë lidhet me 1 mijë e 300 vdekje thotë OBSH, derisa Gjermania regjistron rekord prej 41.7 gradë celsius

0%

Vala e të nxehtit në fillim të verës në Evropë – e paprecedentë – mund të jetë shkaktare për qindra vdekje, sipas kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Rekordet e temperaturave u thyen sërish në të gjithë kontinentin të dielën – përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Republikën Çeke – ndërsa vala e të nxehtit ekstrem po vazhdon të zhvendoset drejt lindjes.

Në një postim në X, drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se janë regjistruar më shumë se 1 mijë e 300 vdekje të tepërta që nga 21 qershori, “të lidhura me temperaturat e larta në Evropë”. “Stresi nga nxehtësia shpesh quhet ‘vrasësi i heshtur’ – dhe shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat evropiane nuk janë ndërtuar për këto temperatura,”- tha ai.

Të dielën në mëngjes, Ministria Kombëtare e Shëndetësisë në Francë njoftoi se në vend janë regjistruar rreth 1 mijë vdekje më shumë se sa pritej që nga e mërkura. Shumë nga viktimat shtesë janë persona mbi moshën 65 vjeç, tha agjencia, pas një rritjeje prej 40 për qind të numrit të njerëzve që kanë vdekur në shtëpi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Evropa është kontinenti që po ngrohet më së shpejti në Tokë, duke u ngrohur dy herë më shpejt se mesatarja globale,”- paralajmëroi Tedros. Miliona njerëz në të gjithë kontinentin aktualisht po “jetojnë nën temperatura ekstreme, qindra kanë vdekur, shkollat janë mbyllur, rrjetet energjetike po mbingarkohen”- shtoi ai.

Të dielën, Gjermania përjetoi ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë për të tretën ditë radhazi, pasi në lindje të vendit u regjistruan 41.7 gradë celisus, sipas të dhënave paraprake. Një stacion në Coschen, pranë kufirit me Poloninë në Brandenburgun lindor, regjistroi 41.7 gradë celsius rreth orës sipas kohës lokale.

Republika Çeke vendosi rekord të dytë të temperaturës brenda dy ditësh, duke regjistruar 41.1 gradë celsius në Doksany, në veri të Pragës, njoftoi instituti meteorologjik CHMI. CHMI tha se pritet që vala e të nxehtit të arrijë kulmin të dielën, ndërsa më vonë parashikohen stuhi mjaft të forta në zonat perëndimore.

Edhe Polonia theu rekordin e saj historik të temperaturës me 40.5 grad celius në qytetin Słubice, tha një zëdhënëse e Institutit të Meteorologjisë dhe Menaxhimit të Ujit (IMGW) për agjencinë e lajmeve AFP të dielën. Ndryshimet klimatike ishin përgjegjëse për motin ekstrem, tha Tedros, duke paralajmëruar se Evropa po ngrohet “dy herë më shpejt se mesatarja globale”.

“E shtyrë nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, fenomeni i valës së të nxehtit ‘një herë në një brez’ tani po ndodh pothuajse çdo vit,”- tha ai. Ai u bëri thirrje vendeve evropiane që të “zbatojnë plane veprimi për shëndetin ndaj të nxehtit”, si pjesë e një përpjekjeje për të mbrojtur shëndetin përballë ndryshimeve klimatike.

Moti ekstrem ka bërë që autoritetet evropiane të ndërmarrin masa drastike për të parandaluar sëmundjet e lidhura me të nxehtin. Të enjten, festivali muzikor holandez Defqon.1 u anulua pas një paralajmërimi të paprecedentë të kodit të kuq për temperatura ekstreme.

Në Paris, autoritetet ndaluan konsumimin e alkoolit të blerë për t’u pirë në publik dhe anuluan marshimin e krenarisë së qytetit për të ndihmuar shërbimet emergjente të mbingarkuara. Ndalimi filloi në mesditën e së premtes sipas kohës lokale, para ndeshjes së Kupës së Botës së Francës me Norvegjinë dhe zgjati deri të dielën në mëngjes.

Të paktën 74 persona janë mbytur në Francë që nga fillimi i valës së të nxehtit, sipas ministrit të Brendshëm Laurent Nuñez. Shumica e vdekjeve kanë ndodhur në “ujëra të pambikëqyrura si lumenj, liqene dhe pellgje”, tha ai për gazetën Le Parisien të shtunën. Vala rekord e të nxehtit në qershor është fajësuar për një efekt të ashtuquajtur “kupolë e nxehtësisë” (heat dome).

Ky model i motit ndodh kur ajri zbret poshtë nëpër atmosferë, duke u ngjeshur dhe duke u ngrohur ndërsa arrin në tokë. Ky ajër që zbret gjithashtu thahet, që do të thotë se nuk formohen re, kështu që rrezet e forta të diellit mund ta ngrohin tokën edhe më shumë. / BBC

Burimi: Kallxo