Shpërndaje në: Mesfushori Manuel Ugarte pritet të mungojë për kohë të gjatë pas lëndimit të ligamentit të gjurit. Lëndimin e mesfushorit uruguaian e konfirmoi të dielën edhe skuadra e Manchester Unitedit.
“Manchester Unitedi mund ta konfirmojë se Manuel Ugarte ka pësuar lëndim të ligamentit derisa e përfaqësonte Uruguain të premten në ndeshjen e fazës grupore të Kupës së Botës ndaj Spanjës. Të tjera testime do të bëhen për ta gjetur trajtimin më të mirë dhe për të caktuar kohën e rehabilitimit.
Të gjithë i dëshirojnë Manuelit shërim të suksesshëm dhe do ta përkrahim atë deri në fund të rrugëtimit”, ka shkruar Unitedi në njoftim. Ugarte me Uruguain u eliminuan nga Kupa e Botës pas disfatës 1:0 nga Spanja. 25-vjeçari u largua me barelë nga fusha pak pa u mbyllur pjesa e parë e ndeshjes që u zhvillua në Guadalajara.
Ai u rrëzua në mes të fushës, në tentim për ta ndalur Pedrin e Spanjës. Ugarte ishte titullar në të tria ndeshjet e Uruguait në Botëror. Dy herë fituesi i Botërorit, Uruguai, u eliminua pasi mblodhi vetëm dy pikë në Grupin H dhe përfundoi në pozitën e tretë.
