Influencerët në protestë/ Dedaj: Lind pyetja se kush i mbështet financiarisht

0%

Gazetari Reldar Dedaj komentoi zhvillimet e fundit që lidhen me protestat qytetare, duke u ndalur te roli i influencerëve dhe ndikimi i tyre në mobilizimin e qytetarëve. Sipas tij, protestat me karakter politik kanë potencialin të prodhojnë figura të reja publike dhe liderë, ndryshe nga protestat që lidhen me një kauzë të vetme dhe që përfundojnë sapo mbyllet çështja për të cilën janë ngritur. “Protestat që kanë natyrë politike zakonisht prodhojnë liderë. Liderët dalin nga turmat, nga përballja dhe nga gara politike. Ndërsa protestat që kanë vetëm një kauzë konkrete zakonisht mbyllen kur përfundon ajo kauzë.” -tha ai. Gjatë diskutimit, Dedaj ndau edhe një episod që, sipas tij, ngre pikëpyetje mbi angazhimin e disa figurave të njohura në rrjetet sociale. Ai tregoi se drejtuesja e një kompanie farmaceutike kishte kontaktuar një influencere të njohur për një bashkëpunim promovues, por kishte marrë si përgjigje se ajo ishte e fokusuar te protestat. Ky rast, sipas gazetarit, ngre pyetje mbi mënyrën se si disa influencerë zgjedhin të heqin dorë nga kontrata të rëndësishme komerciale për t’u angazhuar në aktivitete publike dhe politike. “Më bëri përshtypje përgjigjja e saj. Kur një influencere refuzon një bashkëpunim dhe thotë se është e fokusuar te protesta, lind natyrshëm pyetja se kush i mbështet financiarisht këta persona dhe si arrijnë të lënë pas angazhime që zakonisht paguhen shumë mirë.”- shtoi Dedaj.

Burimi: Bota Sot