Katy Perry është detyruar të anulojë koncertin e saj në festivalin Werchter Boutique në Belgjikë, vetëm pak orë para se të dilte në skenë, për shkak të kushteve të rrezikshme atmosferike. Këngëtarja 41-vjeçare njoftoi fansat përmes Instagramit se autoritetet urdhëruan anulimin e aktivitetit për arsye sigurie, duke theksuar se nuk kishte asnjë mundësi tjetër.
“Fatkeqësisht, performanca ime sonte nuk mund të zhvillohet për shkak të anulimit të urdhëruar nga qeveria për shkak të motit të keq. Nuk kisha zgjidhje tjetër”, shkroi ajo. Perry zbuloi se ndodhej tashmë prapa skene duke u përgatitur për koncertin kur mori lajmin, shkruan DailyMail. “Jam po aq e zhgënjyer sa edhe ju.
Kjo situatë është jashtë kontrollit tim, por siguria e të gjithëve mbetet përparësia kryesore”, shtoi artistja. Ajo u kërkoi fansave mirëkuptim dhe u uroi të ktheheshin të sigurt në shtëpi, duke shprehur keqardhjen që nuk mundi të rikthehej në skenën e festivalit, ku kishte performuar për herë të fundit në vitin 2009.
