Mbi 40 mijë lëndë mbeten ende të pazgjidhura në Prokurorinë Publike të Maqedonisë

0%

Gjatë vitit 2025, prokuroritë themelore publike në Maqedoninë e Veriut kanë trajtuar gjithsej 77.089 autorë të veprave penale nga të gjitha kategoritë, duke përfshirë rastet e reja dhe ato të bartura nga vitet e kaluara.

Krahasuar me vitin 2024, vëllimi i përgjithshëm i punës ka mbetur pothuajse i pandryshuar, me rënie minimale të numrit të personave të rritur të kallëzuar dhe një ulje më të theksuar vetëm te autorët fëmijë, tregon Raporti i Punës për vitin 2025 i Prokurorisë Publike të Maqedonisë, raporton Portalb.mk.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 janë pranuar kallëzime të reja kundër 25.615 autorëve të veprave penale. Prej tyre, 19.976 janë persona të rritur, 1.124 janë fëmijë, ndërsa 4.515 raste kanë të bëjnë me autorë të panjohur. Bashkë me lëndët e pazgjidhura të bartura nga vitet e kaluara, prokuroritë kanë pasur në punë gjithsej 77.089 raste.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Prokuroritë Themelore Publike, gjatë vitit 2025, kanë vepruar mbi kallëzime penale të pranuara rishtazi kundër gjithsej 25.615 autorëve të veprave penale, prej të cilëve kundër 19.976 personave të rritur të kallëzuar rishtazi, kundër 1.124 fëmijëve të kallëzuar rishtazi dhe kundër 4.515 autorëve të panjohur të veprave penale, përkatësisht kundër gjithsej 36.876 personave, nga të cilët gjithsej 25.615 ishin të kallëzuar rishtazi nga të gjitha kategoritë, ndërsa 11.091 persona të rritur të pazgjidhur nga fundi i vitit 2024 dhe 170 raste të pazgjidhura që kishin të bënin me fëmijë në fund të vitit 2024.

Nëse kësaj i shtohet numri i përgjithshëm prej 40.213 kallëzimeve të pazgjidhura kundër autorëve të panjohur nga të gjitha vitet paraprake, rezulton se prokuroritë kanë vepruar ndaj gjithsej 77.089 autorëve të veprave penale nga të tria kategoritë, të kallëzuar rishtazi dhe të bartur nga më parë”, thuhet në raport.

Krahasimi i të dhënave statistikore për personat e kallëzuar rishtazi në vitin 2025 me ato të vitit paraprak 2024 tregon se ka një ulje të vogël sa i përket autorëve të rritur dhe të panjohur, që do të thotë se vëllimi i punës është përafërsisht në të njëjtin nivel, ndërsa vetëm te autorët fëmijë është shënuar ulje e dukshme.

Përkatësisht, në vitin 2025 kjo ulje është si vijon: për personat e rritur është 127 persona ose 0,63%;për fëmijët është 136 persona ose 10,79%;për autorët e panjohur është 31 kallëzime ose 0,68%.Në vitin 2025, Prokuroritë Themelore Publike kanë vepruar kundër gjithsej 31.067 autorëve të njohur të rritur të veprave penale, prej të cilëve janë pranuar rishtazi kallëzime kundër gjithsej 19.976 personave, ndërsa nga periudha paraprake janë bartur si të pazgjidhura kallëzime kundër gjithsej 11.091 personave.

Krahasuar me vitin paraprak 2024, kur është vepruar kundër gjithsej 31.283 autorëve të njohur të rritur të veprave penale, prej të cilëve 20.103 persona ishin të pranuar rishtazi, ndërsa 11.180 persona ishin bartur nga periudha paraprake, gjendja është si vijon: Në vitin 2025 ka vëllim më të vogël të përgjithshëm të punës për 216 autorë të njohur të rritur, që paraqet një ulje të parëndësishme prej 0,69%;Ka numër më të vogël të përgjithshëm të personave të kallëzuar rishtazi, përkatësisht 127 autorë të njohur të rritur më pak, që paraqet një ulje të parëndësishme prej 0,63%; Ka numër më të vogël të përgjithshëm prej 89 autorësh të njohur të rritur me kallëzime të pazgjidhura, që paraqet një ulje të parëndësishme prej 0,79%.“Nga kjo konkludohet se vëllimi i punës në vitin 2025, krahasuar me vitin 2024, është në të njëjtin nivel, ndërsa edhe numri i kallëzimeve të zgjidhura është në të njëjtin nivel, ashtu si edhe numri i kallëzimeve të pazgjidhura në fund të vitit, që do të thotë se vëllimi i përgjithshëm i punës për autorët e njohur të rritur të veprave penale është përballuar në mënyrë identike, thuhet në raport.

Në këtë pasqyrë janë paraqitur të dhëna trevjeçare për një vështrim më të detajuar të lëvizjes së vëllimit të punës. Nga analiza sipas rajoneve rezulton se Prokuroria e Lartë Publike në Manastir ka shënuar rënie të lehtë të vazhdueshme të ngarkesës me lëndë, ndërsa rënia më e madhe është evidentuar në Gostivar.

Në anën tjetër, Prokuroria e Lartë Publike në Shkup ka regjistruar rritje të dukshme të vëllimit të punës, ndërsa në Shtip gjendja mbetet pothuajse konstante me një rritje të vogël. Rritja më e madhe është regjistruar në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku numri i lëndëve është rritur për rreth 50 përqind.

“Nga kjo pasqyrë konstatohet se në nivel të Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir ka një rënie të vogël të vazhdueshme, rënie e konsiderueshme ka në Prokurorinë e Lartë Publike në Gostivar, rritje e dukshme është shënuar në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup, në Prokurorinë e Lartë Publike në Shtip gjendja është konstante me një rritje të vogël, ndërsa rritja më e madhe është shënuar në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), rreth 50%”, thuhet në raport.

Në raport kjo lidhet me aktivitetin e shtuar të institucioneve të Policisë Gjyqësore, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Policisë Financiare dhe Drejtorisë së Doganave në zbulimin dhe kallëzimin e veprave penale.

Prokuroria vlerëson se këto të dhëna tregojnë vazhdimësi në zbulimin dhe raportimin e kriminalitetit në nivel shtetëror, ndërsa ndryshimet ndërmjet rajoneve lidhen edhe me lëvizjet demografike dhe uljen e numrit të popullsisë në zona të caktuara. “Kjo flet për qëndrueshmëri në zbulimin dhe raportimin e kriminalitetit.

Në zona të caktuara konsiderohet se kjo është në korrelacion me rënien e numrit të popullsisë, ndërsa rritja e pritur në PTHP NKOK lidhet me aktivitetin e shtuar gjatë vitit 2025 në zbulimin dhe raportimin nga institucionet në përbërje të Policisë Gjyqësore, MPB-së, Drejtorisë së Policisë Financiare dhe Drejtorisë së Doganave”, thuhet në raport.

Kujtojmë se në po të njëjtin raport, theksohet se paraqitësi më i madh i kallëzimeve penale në Prokurori është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e cila nga gjithsej 19.976 persona ka kallëzuar 14.422 persona ose 72,2 % të numrit të përgjithshëm të kallëzimeve të paraqitura.

Nga kallëzimet penale të pranuara dhe të zgjidhura në vitin 2025, Prokuroria ka hedhur poshtë plot 42 përqind të numrit të përgjithshëm.

Burimi: Telegrafi