Haxhiu në hapjen e KAMO 2026: Garë që bashkon Kosovën dhe Shqipërinë përmes dijes

0%

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë hapëse të edicionit të shtatë të Olimpiadës Matematike Kosovë–Shqipëri (KAMO 2026), e cila po mbahet në Prizren.

Në fjalën e saj para nxënësve, mësimdhënësve dhe organizatorëve, Haxhiu vlerësoi rëndësinë e kësaj gare, duke theksuar se Prizreni mbetet një qytet ku historia dhe kultura ndërthuren me zhvillimin e dijes dhe edukimit. “Sot, në mendjet e nxënësve që garojnë me dije, përqendrim dhe këmbëngulje po merr formë edhe një pjesë tjetër e së ardhmes, mu në qytetin e Prizrenit”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se matematika i mëson nxënësit të mendojnë me kujdes, të analizojnë dhe të mos dorëzohen përballë vështirësive, duke theksuar se këto aftësi janë të rëndësishme për jetën dhe të ardhmen e tyre. Sipas saj, pjesëmarrja në olimpiadë dëshmon talent, disiplinë dhe punë të vazhdueshme, ndërsa theksoi se çdo nxënës që arrin deri në këtë fazë është tashmë fitues.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Haxhiu vlerësoi edhe rolin e mësimdhënësve, familjeve dhe organizatorëve në përgatitjen dhe mbështetjen e nxënësve, duke falënderuar Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe Shoqatën Shqiptare të Matematikës për organizimin e garës.

Në fund, ajo uroi që KAMO 2026 të jetë një përvojë e paharrueshme për pjesëmarrësit dhe një mundësi për të krijuar miqësi të reja dhe për të forcuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë përmes dijes.

Burimi: Telegrafi