Me librin “The Albanian Files” në dorë, kryeministri Edi Rama hapi podcast-in e tij “Flasim.” Ai tha se ka nisur një përndjekje që buron nga fryma e bulevardit. Rama tha se libri është tërësisht i pavarur dhe përmbledh kontributet e studiove arkitekturore që punojnë prej dy dekadash në Shqipëri.
“Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë, shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar që i lidh së bashku në gjithë faqet e librit, Shqipëria. Nuk dua të flas për librin, por për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin.
Një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është dega inkuizicionale që përndjek, në kuptimin me fjalë, me akuza, me shpifje, një nga gjërat dhe një nga grupet më të rëndësishme që i janë qasur Shqipërisë së këtyre 30 viteve dhe historisë së Shqipërisë.
Njerëz që e kanë bërë emrin dhe historinë e tyre në skenën e arkitekturës botërore dhe janë mbledhur në Shqipëri duke dhënë kontribute që ndër të tjera, do të bëjnë që ky vend dhe vajzat e djemtë e këtij vendi, arkitektë, urbanistë, nesër të nxjerrin emër shqiptari që do të shkëlqejë në skenën e botës sepse ne kemi universitetin më të madh dhe prestigjioz në qiell të hapur të arkitekturës dhe zhvillimit urban ku arkitektë rrisin ekspertizën e tyre.
The Albanian Files është vendosur nën shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe as i botuar prej meje, unë thjesht kam dhënë aty një tekst parathënës që është krenari që si kryeministër i Shqipërisë, isha i ftuar ta shkruaja me gjithë këtë armatë arkitektësh dhe ka ardhur si projekt editorial tërësisht i pavarur dhe janë kontribute të studiove që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit.
Është diçka fenomenale, ka gjëra të diskutueshme, të kritikueshme, të debatueshme, por t’i qepesh një botimi të tillë dhe të kapesh me një tekst autoironik i një arkitekti që përfaqëson një prej studiove më të mëdha, është kulmi!”, tha Rama. Kryeministri nënvizoi lirinë editoriale të librit dhe ironinë që nis që prej titullit të tij.
“Të gjithë pjesëmarrësit kanë pasur pavarësi të plotë, kanë caktuar reflektimet. Letra e hapur e De Graff është dëshmi e kësaj autonomie. Edhe titulli është ironi për një Shqipëri që vjen nga një kohë dosjesh ndërkohë që sot dosjet janë të tëra të hapura”, tha Rama.
