Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se bashkëpunimi ndërmjet partive politike është thelbësor për normalizimin dhe stabilizimin e Kosovës. Në një reagim publik, Haziri shkruajti se LDK-ja, sipas tij, ka qenë gjithmonë parti që ka kontribuar në procese shtetformuese dhe në realizimin e synimeve të rëndësishme politike në vend.
Ai shtoi se vendi nuk mund të dalë nga kriza politike nëse, siç u shpreh, partia e parë në pushtet nuk zhvillon “instinktin e bashkëpunimit”, duke theksuar se alternativa e mungesës së bashkëpunimit sjell, sipas tij, thellim të krizave institucionale. “Nuk nxirret vendi nga kriza nëse partia e parë nuk e zhvillon instinktin e bashkëpunimit.
E kundërta është me shkaktu procese.Nëse doni me na provu qysh shkaktohen proceset, pyetne PDK-në. Nëse doni me e kuptu qysh bashkëpunohet, pyetne AAK-në”- ka shkruar tutje Haziri.
Ai gjithashtu vlerësoi mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën, duke përmendur Bashkimin Evropian (BE), NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i cilësoi si partnerë strategjikë të proceseve të vendit.
