Shpërndaje në: Kapiteni i Kepit të Gjelbër, Ryan Mendes, është duke u hetuar për dhunim, ka njoftuar mediumi brazilian “Globo Esporte”. Sipas “Globo Esportes”, incidenti ka ndodhur në muajin mars, në Zelandën e Re. Gruaja që e paraqiti ankesën është braziliane por jeton në Zelandën e Re.
Ajo ishte punësuar nga Federata e Futbollit e Zelandës së Re si përkthyese dhe asistente operative për Përfaqësuesen e Kepit të Gjelbër. Incidenti për të cilin dyshohet ka ndodhur gjatë kohës së miqësoreve që Kepi i Gjelbër i luajti në muajin mars. Gruaja braziliane qëndronte në të njëjtin hotel të përfaqësueses së Kepit të Gjelbër.
“Gruaja e cila paraqiti ankesën në polici, pas miqësores ndaj Kilit, u ftua në një takim në njërën prej dhomave të rezervuara për përfaqësuesen në hotel dhe ajo mori pjesë duke besuar se do të shërbente si përkthyese. Megjithatë, ajo ka parë se ka qenë një takim shoqëror dhe është kthyer në dhomë pasi nuk është ndier mirë.
Ajo kujton se pasi ka hyrë në dhomë ka dëgjuar trokitje në derë dhe e ka hapur, duke menduar se është kërkesë për punë”, shkruan “Globo Esporte”. Më pas mediumi brazilian shkruan se “Ryan Mendes ka hyrë në dhomë, e ka sulmuar gruan fizikisht dhe e ka kapur për fyti, e ka goditur dhe e ka kafshuar, teksa ajo ka provuar të mbronte veten, dhe më pas e ka dhunuar”.
Hetimet ende janë duke vazhduar, ndërsa Kepi i Gjelbër e ka vazhduar rrugëtimin përrallor në Kupë të Botës. Kepi i Gjelbër luan me Argjentinën, në natën mes të shtunës e së dielës së javës së ardhshme.
