Regjimenti i Operacioneve Speciale zhvilloi stërvitjen fushore-ujore të koduar “Mburoja Ilire-26”, të ndarë sipas programit stërvitor të dy njësive elitare, Forcave Speciale dhe Komando, me fokus, testimin e aftësive operacionale në planifikimin dhe ekzekutimin e operacioneve speciale në mjedise ujore, nënujore, tokësore dhe ajrore, si dhe në rritjen e gadishmërisë operacionale për përmbushjen me sukses të misioneve dhe detyrave të ngarkuara.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi publikoi sot pamje nga kjo stërvite, e zhvilluar nga efektivët e Batalionit të Forcave Speciale (ROS) në Bazën Detare të Pashalimanit. Nufi vlerësoi profesionalizmin dhe përgatitjen e efektivëve, duke theksuar se ata dëshmojnë nivel të lartë aftësish në përmbushjen me sukses të misioneve në mbrojtje të sigurisë dhe interesave kombëtare.
“Krenari për djemtë tanë, të cilët konfirmojnë nivelin e lartë të përgatitjes dhe aftësive në përmbushjen me sukses të misioneve në mbrojtje të sigurisë dhe interesave kombëtare”, shkruan Nufi.
Batalioni i Forcave Speciale është i mirëpajisur me mjete moderne dhe mbart me vete një eksperiencë në operacione ushtarake, jo vetëm brenda vendit tonë, por edhe në misionet e NATO-s, BE e Kombeve të Bashkuara jashtë vendit.
