Një aksident i pazakontë ajror ndodhi të premten në Pekin, ku një aeroplan i vogël u përplas me ndërtesën më të lartë të kryeqytetit kinez, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe plagosjen e 13 personave që ndodheshin në tokë. Përplasja bëri që copëza xhami dhe mbetje të avionit të binin mbi rrugët përreth, duke shkaktuar panik në qendër të Pekinit, një nga zonat më të ruajtura të Kinës.
Pak orë më vonë, çdo referencë për incidentin dhe pamjet e publikuara në rrjetet sociale kineze ishte fshirë. Fillimisht, autoritetet nuk e pranuan publikisht se kishte ndodhur një aksident.
Vetëm të shtunën pasdite, sipas orës lokale, media shtetërore e Pekinit njoftoi se një “aeroplan sportiv i lehtë, njëmotorësh dhe me dy vende” ishte përplasur me një ndërtesë shumëkatëshe gjatë fluturimit. Sipas njoftimit, piloti, i cili ishte i vetmi person në bord, humbi jetën, ndërsa 13 persona u plagosën në vendngjarje.
Autoritetet deklaruan se hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim, pa dhënë detaje të tjera. Dëmet në fasadën e rrokaqiellit duket se janë të kufizuara në një vrimë të krijuar nga shkatërrimi i dy paneleve të mëdha prej xhami. Deri të shtunën, pjesa e dëmtuar ishte mbuluar përkohësisht me panele mbrojtëse.
Ndërtesa 528 metra e lartë, me 109 kate, e njohur si CITIC Tower ose China Zun, ndodhet në Distriktin Qendror të Biznesit të Pekinit, rreth 6 kilometra nga Qyteti i Ndaluar, një nga destinacionet turistike më të vizituara në Kinë. Ajo gjendet gjithashtu pranë kompleksit Zhongnanhai, ku ndodhen zyrat e udhëheqjes së lartë politike kineze.
Në ndërtesë kanë selinë korporata shtetërore CITIC Group dhe gjiganti teknologjik Alibaba. Sipas fotografive të publikuara menjëherë pas aksidentit në rrjetet sociale kineze, në mbetjet e avionit shihej numri i regjistrimit B-12PP. Të dhënat e platformës Flightradar24 tregojnë se bëhet fjalë për një aeroplan të tipit Aurora SA60L, i prodhuar nga kompania kineze Sunward.
Një aeroplan me të njëjtin numër regjistrimi rezultonte të ishte në pronësi dhe administrim të kompanisë Dongshi Shuangyue General Aviation, me seli në Pekin, sipas një videoje promovuese të publikuar nga kompania në vitin 2024. Financial Times, duke cituar një burim të njohur me ngjarjen, raportoi se avioni i përkiste kësaj kompanie.
Nga ana tjetër, Reuters thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur nëse kompania ishte ende pronare dhe operatore e avionit në momentin e aksidentit, apo nëse piloti kishte lidhje me të.
Videoja promovuese e kompanisë, e cila u hoq nga rrjetet sociale të premten në mbrëmje, reklamonte fluturime panoramike 30-minutëshe me çmim 129 dollarë, me nisje nga aeroporti i vogël Xifosi.
Kompania ofron fluturime turistike në lartësi të ulët, programe përvojash praktike në pilotim dhe trajnime në aviacion në distriktin periferik Pinggu, rreth 50 kilometra nga qendra e Pekinit. 🇨🇳 A plane crashed into Beijing’s tallest skyscraper Debris fell near the eastern entrance of the China Zun Tower. The China Zun skyscraper is in the top 10 tallest buildings in the world.
The height of the tower is 528 meters. pic.twitter.com/Tt8hmDkc3V — Visegrád 24 (@visegrad24) June 26, 2026
