Manchester City ka nisur menjëherë lëvizjet e radhës në merkato, pasi raportohet se klubi anglez ka hapur bisedimet për transferimin e talentit të Marokut dhe Lille, Ayyoub Bouaddi. City tashmë ka siguruar transferimin e Elliot Anderson nga Nottingham Forest, por nuk pritet të ndalet me kaq.
Pas largimit të Pep Guardiolës në fund të sezonit, klubi ka identifikuar përforcimin e mesfushës si prioritet kryesor. Anderson, i cili po luan me kombëtaren në Kupën e Botës, ishte edhe në radarët e Manchester United, por City fitoi garën për ish-mesfushorin e Newcastle United.
Raportimet për shumën e transferimit ndryshojnë: burime pranë Cityt flasin për 116 milionë funte të garantuara, ndërsa media të tjera raportojnë se marrëveshja mund të arrijë deri në 130 milionë funte me bonuse.
Mesfusha e Manchester Cityt pritet të pësojë ndryshime të mëdha, pasi Bernardo Silva tashmë është larguar, ndërsa Rodri lidhet me një transferim të mundshëm te Real Madridi, ku Jose Mourinho thuhet se e ka vendosur spanjollin në krye të listës së dëshirave. Për këtë arsye, City po kërkon edhe një tjetër përforcim në mesfushë.
Sipas raportimeve, kampionët anglezë janë në pozicion të mirë për të transferuar Ayyoub Bouaddin, një nga zbulimet e Kupës së Botës 2026. Mesfushori 18-vjeçar ka shkëlqyer me Marokun në këtë turne, duke impresionuar me qetësinë në lojë, leximin e situatave dhe pasimet e sakta nga pozicioni i mesfushorit defensiv.
Gazetari i ESPN Deportes, Javier Rodríguez Pascal, raporton se City është klubi më i favorizuar për të siguruar shërbimet e Bouaddit, pavarësisht transferimit të afërt të Andersonit. Edhe Matteo Moretto nga Marca konfirmon interesimin e Cityt dhe bisedimet direkte me Lille për një marrëveshje gjatë kësaj vere. Megjithatë, gara për Bouaddin pritet të jetë e fortë.
Arsenal dhe Liverpool janë gjithashtu të interesuar, ndërsa Real Madrid, Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain kanë monitoruar situatën e talentit maroken. Lille e vlerëson lojtarin rreth 50 milionë funte, ndërsa një marrëveshje nuk pritet të finalizohet para përfundimit të aventurës së Marokut në Kupën e Botës.
Maroku tashmë ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/32-ave, ku do të përballet me Holandën më 30 qershor, me synimin për të vazhduar rrugëtimin drejt 16-shes më të mirë. /GazetaExpress/ Unitedi mund të përfitojë miliona si kompensim nga FIFA, shkaku i lëndimit të Ugarte.
