Trump: SHBA-të do të “kthehen te bombardimet” nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin

0%

Donald Trump ka deklaruar se marrëveshja e arritur me Iranin ka shmangur një krizë të mundshme ekonomike, duke pranuar se vazhdimi i konfliktit mund të kishte sjellë pasoja të rënda për ekonominë globale. “Unë nuk doja të shihja një katastrofë ekonomike. Nëse do ta vazhdonim këtë, kjo mund të kishte ndodhur”, tha presidenti amerikan gjatë qëndrimit në samitin e G7 në Francë. Ai vlerësoi gjithashtu udhëheqësit e rinj të Iranit, duke i cilësuar si “shumë të zgjuar” dhe “shumë më pak radikalë” se më parë. Sipas 80-vjeçarit, Irani po sheh një “mënyrë tjetër jetese” dhe do të ketë një qasje më ndryshe në të ardhmen, shkruan skynews. Lideri amerikan tha se marrëveshja me Teheranin “arrin gjithçka që Shtetet e Bashkuara synuan dhe shumë më tepër”. Marrëveshja i jep fund konfliktit aktual, rihap Ngushticën e Hormuzit dhe parandalon Iranin që të sigurojë armë bërthamore. “Kjo ishte e gjithë çështja”, u shpreh presidenti amerikan. Ai shtoi se pa këtë marrëveshje, SHBA-ja mund të kishte vazhduar sulmet për javë, muaj apo edhe më gjatë. “Mund të kishim hedhur më shumë bomba edhe për tre javë, dy javë, katër javë, dy vjet – kush e di”, deklaroi Trump. Ky i fundit tha se do të shpërndajë kopje të memorandumit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, i cili pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër. “Nëse nuk përfundohet brenda 60 ditësh, nuk ka problem – ne kthehemi te bombardimet. Nuk dua ta bëj këtë, sepse marrëveshja është shumë e mirë. Por mund të na duhet ta bëjmë, sepse ne kurrë nuk do t’i lejojmë ata të kenë një armë bërthamore. Por ata kanë rënë dakord që të mos e bëjnë këtë, dhe këtë do ta shihni shumë qartë në marrëveshje”, përfundoi ai.

Burimi: Telegrafi