Qeveria ushtarake e Burkina Fasos ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Francën, të shtunën. Kjo e fundit ka qenë ish-fuqi koloniale dhe partneri kryesor i sigurisë për këtë shtet të Afrikës Perëndimore deri para disa vitesh.
Ministri i Komunikimit, Pingdwende Gilbert Ouedraogo, njoftoi se vendimi hyn në fuqi menjëherë, duke argumentuar se “nuk ekzistojnë më kushtet për marrëdhënie të bazuara në respekt të ndërsjellë, besim reciprok dhe mosndërhyrje në punët e brendsh me”, raporton AP. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar që pas grushtit ushtarak, më 2022.
Një vit më vonë, junta (pushteti ushtarak) kërkoi largimin e ambasadorit francez dhe shpalli të padëshiruar koordinatorin të OKB-së, ndërsa më 2024 dëboi tre diplomatë francezë, duke i akuzuar për veprimtari subversive.
Parizi zyrtar ishte partneri kryesor i sigurisë i Burkina Fasos deri në marrjen e pushtetit nga ushtria, pas së cilës autoritetet e reja dëbuan edhe qindra ushtarë francezë të angazhuar në luftën kundër grupeve ekstremiste.
Burkina Faso, me rreth 23 milionë banorë, prej vitesh përballet me sulme nga grupe ekstremiste të lidhura me Al-Kaidën dhe Shtetin Islamik, ndërsa edhe forcat qeveritare janë akuzuar vazhdimisht për vrasje jashtëgjyqësore. Rajoni i Sahelit, ku bën pjesë vendi, konsiderohet si zona më vdekjeprurëse në botë për ekstremizmin.
Një raport i Human Rights Watch vlerëson se ndërmjet janarit 2023 dhe gushtit 2025, forcat qeveritare janë përgjegjëse për të paktën 1.200 nga 1.837 vrasjet e civilëve të regjistruara në vend.
