Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken, ka shpjeguar vendimin për të lënë në stol Erling Haalandin dhe Martin Ødegaardin në humbjen 4-1 ndaj Francës në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Kupës së Botës.
Norvegjia e kishte siguruar kualifikimin në fazën me eliminim direkt para fillimit të ndeshjes ndaj Francës, prandaj Solbakken vendosi të bëjë 10 ndryshime në formacion krahasuar me ekipin që kishte mposhtur Senegalin 3-2. Mes lojtarëve kryesorë që nisën nga stoli ishin Haaland, Ødegaard dhe portieri Ørjan Nyland.
Humbja ndaj Francës bëri që Norvegjia të kualifikohej si vendi i dytë i grupit, me gjasë për t’u përballur me Bregun e Fildishtë në raundin tjetër dhe për të shmangur Suedinë. Pas ndeshjes, Solbakken tha se vendimi ishte marrë për të ruajtur energjinë e lojtarëve para fazës vendimtare të turneut. “Tani është koha të rimbushim bateritë.
Duhet të kujtojmë se pushimi që patëm nga ndeshja e kaluar ishte më i shkurtri për skuadrën tonë në këtë turne, ndërsa ndeshja tjetër vjen pas katër ditësh”, deklaroi ai. Sipas tij, i vetmi argument kundër këtij vendimi ishte dëshira e tifozëve për t’i parë në fushë Haalandin dhe Ødegaardin.
“I vetmi argument për të mos bërë atë që bëmë, pra për të mos pushuar 10 lojtarë, ishte që tifozët në Norvegji dhe këtu të mund të shihnin Erlingun dhe Martinin. Por në atë rast, Botërori ynë nuk do të zgjaste shumë. Ne jemi këtu për të shkuar sa më larg”, shtoi Solbakken.
Franca e fitoi ndeshjen falë një “hat-tricku” të Ousmane Dembélés në pjesën e parë, ndërsa Thelo Aasgaard shënoi golin e vetëm për Norvegjinë. Norvegjezët patën mundësi të riktheheshin në lojë në pjesën e dytë, por Jørgen Strand Larsen humbi një penallti në minutën e 50-të. Në minutat shtesë, Désiré Doué realizoi me kokë për rezultatin përfundimtar 4-1.
Pavarësisht humbjes së thellë, Solbakken u shpreh i kënaqur me disa aspekte të paraqitjes së skuadrës së tij, sidomos në fazën sulmuese. “Në sulm krijuam raste gjatë gjithë ndeshjes dhe djemtë meritojnë vlerësim për këtë. Nuk krijuam raste vetëm në pjesën e dytë, por edhe në të parën patëm katër mundësi të mëdha.
Megjithatë, nuk mund ta humbësh topin në disa zona të fushës, sepse kundërsulmi vjen shumë shpejt”, përfundoi trajneri norvegjez. Norvegjia tashmë do të përqendrohet te faza me eliminim direkt, ku synimi është të vazhdojë sa më gjatë në turne.
