Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, po merr pjesë në Sesionet 147-të dhe 148-të të Këshillit të Organizatës Botërore të Doganave, që po mbahen në Bruksel të Belgjikës.
Këshilli i OBD-së është organi më i lartë vendimmarrës i kësaj organizate dhe mbledh drejtuesit e administratave doganore nga vendet anëtare, me qëllim diskutimin e prioriteteve strategjike dhe zhvillimeve kryesore në fushën doganore në nivel global.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, gjatë punimeve janë shqyrtuar raporti i Sekretarit të Përgjithshëm dhe raportet e komiteteve teknike të OBD-së. Fokus i veçantë u është kushtuar zhvillimit të kapaciteteve institucionale, standardeve dhe politikave doganore, rregullave të origjinës, vlerësimit doganor, nomenklaturës dhe klasifikimit të mallrave.
Në agjendë janë përfshirë edhe çështje që ndërlidhen me zbatimin e ligjit, lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare dhe përdorimin e teknologjisë në procedurat doganore. Po ashtu, Këshilli po diskuton politikat institucionale, qeverisjen, financat dhe buxhetin e organizatës, ndërsa pritet të miratojë edhe kalendarin e aktiviteteve dhe sesioneve të ardhshme të Organizatës Botërore të Doganave.
Dogana e Kosovës e ka vlerësuar pjesëmarrjen e Llugaliut në këtë forum të nivelit të lartë ndërkombëtar si kontribut në forcimin e rolit të Kosovës në proceset globale të zhvillimit të politikave doganore, harmonizimit me standardet ndërkombëtare dhe thellimit të bashkëpunimit me administratat doganore të vendeve partnere.
Në njoftim thuhet se Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për avancimin e reformave, modernizimin e shërbimeve doganore, lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe forcimin e sigurisë së zinxhirit ndërkombëtar të furnizimit, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të Organizatës Botërore të Doganave.
