“Çdo gjë është e mundur”, Kepi i Gjelbër vazhdon ecurinë përrallore

0%

Shpërndaje në: Pamja e lojtarëve të Kepit të Gjelbër të mbledhur rreth një telefoni celular ndërsa shikonin sekondat e fundit të fitores së Spanjës ndaj Uruguait përpara se të shpërthenin në festime, ishte lloji i momentit që FIFA kishte shpresuar të shihte në Kupën e Botës së zgjeruar.

Apo edhe gëzimi në tribunat e stadiumit në Houston, ku tifozët e Kepit të Gjelbër brohoritën, kërcyen dhe kënduan kur vendi i vogël ishullor siguroi fazën nokaut të Botërorit në SHBA, Kanada e Meksikë. Kepi i Gjelbër i ka vetëm 500 mijë banorë, ndërsa në 1/16 e finales së Botërorit do të përballet me kampionen në fuqi, Argjentinën, më 3 korrik në Miami.

Kepi i Gjelbër barazoi pa gola me Arabinë Saudite dhe u rendit i dyti në Grupin H. Trajneri i përfaqësueses afrikane, Bubista, kishte thënë se Kupa e Botës është për të gjitha vendet jo vetëm për “elitën e lojës”. Historitë e fituesve që ngrenë trofeun janë emocionuese, por njëjtë janë edhe tregimet e ekipeve që luftojnë përtej madhështisë së tyre dhe kapërcejnë vështirësitë për të garuar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Futbollin e bëjnë interesant edhe ekipet e vogla që suksesin e arrijnë me shpirt luftarak. “Sinqerisht është çmenduri. Ndihem sikur jam në një ëndërr”, tha mesfushori i Kepit të Gjelbër, Deroy Duarte. “Që kur isha fëmijë, gjithnjë kam ëndërruar të luaj në një Kupë Bote. Të jesh lojtar i ndeshjes dhe të bësh histori është diçka që nuk mund ta kisha imagjinuar kurrë”, ka shtuar ai.

Ka pak gjasa që Kepi i Gjelbër ta kalojë fazën tjetër kundër Lionel Messit dhe argjentinasve të tjerë. Por lojtarët e përfaqësueses së vogël kanë shkruar historinë që do të mbahet mend gjatë. “Së pari le të festojmë. Jemi shumë të lumtur. Le të shpresojmë që të gjithë banorët e Kepit të Gjelbër të jenë të lumtur gjithashtu. Nga nesër do të përpiqemi për ndeshjen tjetër.

Është kundër Argjentinës, apo jo? Një ndeshje e vështirë, por le të besojmë. Çdo gjë është e mundur”, ka shtuar Duarte. Kepi i Gjelbër avancoi në fazën nokaut me tri barazime, me paraqitjen e fortë dhe defenzive kundër Spanjës në ndeshjen e parë si më mbresëlënësen deri më tani. Kjo i siguroi Kepit të Gjelbër tifozë të rinj në gjithë botën.

Stadiumi në Houston ishte i mbushur me fanella të kësaj përfaqësueseje në ndeshjen ndaj Arabisë Saudite.

Burimi: Koha