Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që merren me ushqime, si dhe qytetarëve, të rrisin kujdesin në ruajtjen dhe trajtimin e produkteve ushqimore për shkak të rritjes së temperaturave gjatë sezonit të verës.
Në njoftimin e kësaj agjencie thuhet se të gjithë subjektet që janë pjesë e zinxhirit ushqimor, nga prodhimi, përpunimi, ruajtja, transporti, deponimi, shpërndarja e deri te tregtimi; duhet t’i zbatojnë me përpikëri kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Agjencia u bën thirrje veçanërisht bizneseve të gastronomisë, përfshirë restorantet, hotelet, sallat e dasmave, marketet, furrat, qebaptoret, fast-food-et dhe subjektet e tjera që janë në kontakt me ushqimin, të sigurojnë ruajtjen e produkteve në temperaturat e përcaktuara në etiketë, të kontrollojnë rregullisht pajisjet ftohëse dhe ngrirëse, si dhe të zbatojnë masat e vetëkontrollit.
Po ashtu, AUV ka apeluar edhe te konsumatorët që të kenë kujdes gjatë blerjes së produkteve ushqimore, transportit të tyre deri në shtëpi dhe ruajtjes në kushte të përshtatshme deri në momentin e konsumimit.
Sipas Agjencisë, produktet me prejardhje shtazore janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta, megjithatë kujdes i veçantë duhet treguar edhe për produktet e tjera që kërkojnë temperatura specifike të ruajtjes, të cilat janë të shënuara në deklaracionin e produktit.
AUV thekson se jetëgjatësia e produkteve ushqimore varet drejtpërdrejt nga kushtet e ruajtjes, ndërsa siguria ushqimore mbetet përgjegjësi e përbashkët e bizneseve dhe konsumatorëve. “Vetëm përmes respektimit të rregullave dhe kujdesit mund të parandalojmë rastet e helmimeve ushqimore dhe të mbrojmë shëndetin e konsumatorëve” – thuhet në njoftimin e lëshuar, më .
Agjencia ka paralajmëruar se gjatë verës do të rrisë kontrollet në terren për të mbikëqyrur zbatimin e kërkesave ligjore, duke theksuar se shkeljet nuk do të tolerohen. Ditëve në vijim pritet që vendi të përshkohet nga temperatura të larta. Insituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka paralajmëruar se gjatë kësaj fundjave, temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 33 gradë Celsius.
