Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë , Besfort Lamallari, reagoi sot lidhur me deklaratat e Igballe Hudutit, e shpallur “non grata” nga Shqipëria, e cila në një intervistë televizive u shpreh se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është lideri i saj politik, ndërsa lideri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, është udhëheqësi i saj shpirtëror.
Në reagimin e tij, Lamallari theksoi se institucionet nuk merren me protestuesit si individë, por sipas tij, do të përballen me çdo formë “urrejtjeje dhe ekstremizmi”. “Mos merremi me protestuesit?! Jo! Jo vetëm nuk merremi me asnjë protestues si i tillë, por përpiqemi t’i dëgjojmë të gjithë ata që janë sinqerisht të shqetësuar.
Por patjetër që do të merremi me çdo urrejtje nxitës dhe ekstremist, si kjo zonja që bindjet e saja mund t’i mbajë për vete jashtë Shqipërisë të paktën 15 vitet e ardhshme! Sepse në Shqipërinë vend anëtar i NATO-s dhe së shpejti pjesë e Bashkimit Evropian, nuk ka vend për khameneizmi është baraz me terrorizmin, ekstremizmin, obskurantizmin!”, shkruan ai.
Ai e cilësoi gjithashtu si “turp” përmendjen e kryeministrit të Kosovës në deklarata të tilla, transmeton ATSH. “Një turp më vete edhe përzierja e emrit të kryeministrit të nderuar të Kosovës në përroin psiqik të kësaj zëdhënëseje të një shteti të shpallur me konsensus shtet terrorist nga Kuvendi i Shqipërisë”, shkruan ai.
Ministria e Brendshme shpalli “non grata” në territorin e Shqipërisë shtetasen Igballe Huduti (Berisha), duke i ndaluar hyrjen në vend për një periudhë prej 15 vjetësh.
