Një zjarr ka përfshirë Xhaminë e Dardanisë në lagjen Piskotë të Gjakovës, të premten, më . Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. Ekipet e Shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit njoftohet se kanë intervenuar me urgjencë.
Raportohet se zjarri është vënë nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e flakëve në pjesët e tjera të objektit dhe në ndërtesat përreth. KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë Rajonale në Gjakovë, të cilët kanë deklaruar se rasti ka ndodhur në rrugën “Driton Zeneli”.
Sipas Policisë, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë veprimet hetimore të nevojshme për zbardhjen e detajeve të rastit. “Njësitë relevante të policisë dhe zjarrfikësit janë përgjigjur menjëherë, me ç’rast zjarri ka arritur të lokalizohet dhe nuk ka pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale”- ka thënë Vlera Krasniqi, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Gjakovës.
KALLXO.com ka siguruar pamje nga vendi ku ka ndodhur zjarri.
