Një rast i rëndë i kanosjes është raportuar në Pejë, ku në derën e një banese është gjetur një mjet shpërthyes dhe një mesazh kërcënues, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali. Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur në rrugën “Nënë Tereza”, ndërsa viktima për momentin ndodhet jashtë vendit.
Burimet bëjnë të ditur se patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes pas pranimit të ankesës dhe aty ka kontaktuar dëshmitarin. Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes, Policia ka konstatuar se në dorezën e derës së hyrjes së banesës së viktimës ishte vendosur një mjet shpërthyes dhe një letër me përmbajtje kërcënuese.
Për shkaqe sigurie, banorët e objektit janë evakuuar nga banesat e tyre, ndërsa Policia ka siguruar perimetrin dhe vendin e ngjarjes deri në përfundimin e veprimeve nga njësitet kompetente. Lidhur me rastin janë njoftuar njësiti i hetimeve, Prokurori i Shtetit dhe njësitet e tjera relevante.
Njësiti për trajtimin e mjeteve eksplozive ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë largimin e mjetit shpërthyes. Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Kanosje”. Nga ky rast nuk është lënduar asnjë person, ndërsa hetimet për identifikimin e të dyshuarit janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
