84 vjeçarja Martha Reeves rikthehet me një album të ri

0%

Martha Reeves rikthehet me album të ri në moshën 84-vjeçare. Legjenda e muzikës soul dhe një nga zërat më të njohur të epokës së artë të Motoën, Martha Reeves, rikthehet në skenë me albumin e ri Searching, që publikohet më 14 gusht.

Në një intervistë të fundit, artistja 84-vjeçare ndau kujtime nga vitet e lavdishme të Motown, miqësitë me ikonat e muzikës dhe historitë pas hiteve që shënuan një brez të tërë. Reeves kujton se gjithçka nisi pasi fitoi një konkurs për talente, kur producenti William Stevenson e ftoi në Motown.

Fillimisht punoi si sekretare në shtëpinë diskografike, por shumë shpejt talenti i saj e çoi në studio, aty ku nisi një karrierë që do ta kthente në një nga zërat simbol të soul-it amerikan. Ajo e krahason filozofinë e Motown me industrinë e automobilëve në Detroit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas saj, themeluesi Berry Gordy mori frymëzim nga puna në fabrikën Ford, duke krijuar një “linjë prodhimi” për hite muzikore, ku secili artist dhe producent kishte rolin e vet. Një nga historitë më të veçanta lidhet me këngën legjendare Dancing in the Street. Reeves tregon se ishte Marvin Gaye ai që e pa duke e vëzhguar nga dritarja e studios dhe e ftoi ta këndonte këngën.

Ajo zbulon se Gaye jo vetëm interpretoi instrumente të shumta gjatë regjistrimit, por realizoi edhe solon e famshme në piano. Artistja kujton me krenari se Dancing in the Street u kthye në një himn gjatë lëvizjes për të drejtat civile në SHBA, duke bashkuar njerëzit përmes muzikës në vend të dhunës dhe protestave.

Një pjesë e intervistës i kushtohet edhe miqësisë së saj me Dusty Springfield. Reeves rrëfen me humor se u bënë shoqe pasi këngëtarja britanike, e mërzitur pas një koncerti, nisi të thyente pjata dhe filxhanë në dhomën e zhveshjes. Martha iu bashkua dhe që nga ai moment miqësia e tyre vazhdoi për vite me radhë.

Edhe pas më shumë se gjashtë dekadash karrierë, Martha Reeves vazhdon të mbetet një nga figurat më të rëndësishme të muzikës soul, ndërsa me albumin Searching dëshmon se pasioni për muzikën nuk njeh moshë.

Burimi: Bota Sot