Mbingrohje në një lagje, mungesë në tjetrën – ZKA gjen pabarazi edhe në faturimet e Termokosit

0%

Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se Ndërmarrja Publike “Termokos”, nuk ka menaxhuar në mënyrë efektive me sistemin e ngrohjes qendrore në Prishtinë, duke evidentuar probleme në shpërndarjen e energjisë termike, sistemin e matjes dhe faturimit, si dhe mungesë të kapaciteteve rezervë për furnizim.

Sipas raportit të auditimit të performancës “Efektiviteti i shërbimit të ngrohjes qendrore – Termokos”, i cili ka mbuluar periudhën 2023 – 2025, ndërmarrja ka furnizuar me energji termike 27,124 konsumatorë. ZKA vlerëson se shpërndarja e energjisë termike nuk është e balancuar.

Si rezultat, banorët e lagjeve Dardania dhe Ulpiana përballen me mbingrohje, ndërsa ata në Kodrën e Diellit dhe Mati 1, marrin ngrohje të pamjaftueshme. “Termokos nuk ofron shërbim efektiv të ngrohjes qendrore për qytetarët e Prishtinës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shpërndarja e energjisë termike është e pa balancuar dhe si pasojë, disa lagje si Dardania dhe Ulpiana kanë mbingrohje, ndërsa në lagjet si Kodra e Diellit dhe Mati 1 marrin ngrohje të pamjaftueshme duke pamundësuar që qytetarët të marrin shërbimet të duhura të ngrohjes qendrore”- thuhet në raport. ZKA ka gjetur se nga 895 nënstacione të rrjetit, 869 janë aktive.

Por, 285 prej tyre nuk janë të integruara në sistemin SCADA, ndërsa 59 nuk kanë fare pajisje matëse. Kjo, sipas auditorit, e bën të pamundur monitorimin dhe kontrollin efektiv të temperaturave në rrjet. Raporti evidenton edhe probleme serioze në sistemin e faturimit.

Edhe pse Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në vitin 2022 ka miratuar një metodologji që parasheh faturimin sipas konsumit real, Termokos vazhdon të përdorë një metodologji tjetër të paaprovuar, të cilën ZRRE e konsideron vetëm si fazë kalimtare.

Sipas ZKA-së, rreth 46.5% e konsumatorëve ende faturohen sipas sipërfaqes së banesës (m²), ndërsa 5.61% e konsumatorëve me matës vazhdojnë të faturohen po në këtë mënyrë për shkak se pajisjet e tyre janë jashtë funksionit.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit [ZKA] ka konstatuar gjithashtu se mbi 90% e pajisjeve matëse kanë kaluar afatin e garancisë dhe Termokos nuk ka një plan për mirëmbajtjen ose zëvendësimin e tyre. Një tjetër gjetje lidhet me evidencën e konsumatorëve.

Sipas raportit, ndërmarrja nuk ka bërë verifikimin e sipërfaqeve ngrohëse për më shumë se një dekadë, duke rezultuar në mbi 16,700 metra katrorë të pafaturuar për vite me radhë. Po ashtu, regjistrimi i konsumatorëve të rinj shpesh është bërë mbi baza të listave jozyrtare, duke rritur rrezikun për pasaktësi në faturim. ZKA ngreh shqetësime edhe për sigurinë e furnizimit me ngrohje.

Termokos vazhdon të varet plotësisht nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për furnizimin me energji termike dhe nuk disponon kapacitete rezervë për prodhim. “Termokos nuk ka kapacitete rezervë për prodhimin e energjisë termike dhe varet plotësisht nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke rrezikuar furnizimin e qëndrueshëm.”-thuhet në raport.

Raporti thekson se kaldajat ekzistuese janë jashtë funksionit dhe megjithëse ekspertë të fakultetit të inxhinierisë mekanike dhe Fakultetit të Inxhinierisë së ndërtimit kanë rekomanduar transformimin e tyre në kaldaja me gaz, deri më tani nuk janë ndërmarrë veprime për modernizimin apo zëvendësimin e tyre.

Për të përmirësuar situatën, ZKA ka dhënë 9 rekomandime që përfshinë vendosjen e pajisjeve matëse për të gjithë konsumatorët, zbatimin e metodologjisë së miratuar të faturimit, integrimin e plotë të nënstacioneve në sistemin SCADA dhe sigurimin e një furnizimi më të balancuar e të qëndrueshëm me ngrohje “Për adresimin e mangësive të evidentuara dhe për sigurimin e furnizimit të duhur me ngrohje qendrore për konsumatorët, Termokos duhet të ndërmarrë hapa konkret për vendosjen e pajisjeve matëse dhe zbatimin e metodologjive të miratuara të faturimit, si dhe të sigurojë furnizim të balancuar dhe të qëndrueshëm në të gjithë rrjetin.

Për këtë qëllim, janë dhënë 9 rekomandime, të cilat paraqiten në kapitullin 5 të raportit.”-rekomandon ZKA. Sipas raportit, Termokos është pajtuar me të gjitha gjetjet dhe konkluzionet e raportit dhe është zotuar t’i zbatojë rekomandimet e dhëna Për më tepër, nëpërmjet letër konfirmimit [] e ka konfirmuar pranimin e draft raportit ”Efektiviteti i i shërbimit të ngrohjes qendrore Termokos”, dhe është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet, pa ndonjë koment në përmbajtjen e raportit.

Raportin e plotë të auditimit të perfromancës “Efektiviteti i i shërbimit të ngrohjes qendrore Termokos” të Ndërmarrjes “Termokos” mund ta gjeni KËTU .

Burimi: Kallxo