AAK vendos kushte për mbështetjen e formimit të institucioneve

0%

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka deklaruar se partia që ai e drejton është e gatshme të ndihmojë në formimin e institucioneve të reja pa kërkuar poste në qeveri, por ka paraqitur një sërë kërkesash programore që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve.

Në një konferencë për media, ai tha se ekziston rreziku që Kosova të mbetet për një periudhë të gjatë pa institucione funksionale. “Po krijohet një ndjenjë që Kosova rrezikon me mbetë për një periudhë të gjatë pa institucione. Gjithçka është peng, gjithçka është blloku”- tha ai. Sipas tij, AAK nuk synon pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme dhe nuk ka kushte që lidhen me pozita.

“Nuk kemi kurrfarë kushte vetjake. Nuk synojmë kurrfarë pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme. Kemi kërkesa jetike” – u shpreh Gjini.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai kërkoi që institucionet e reja të pranojnë menjëherë projektin strategjik të gazsjellësit amerikan, të nisin procedurat për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr dhe të rrisin pragun e TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, me qëllim që, sipas tij, të lehtësohet funksionimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Gjini kërkoi gjithashtu lirimin e tokave të punuara nga tatimi në pronë për të nxitur bujqësinë, si dhe buxhetimin e plotë të rrugëve për Gjilanin, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën dhe Podujevën. Ai tha se për Prishtinën duhet të ndahen nga 800 milionë deri në 1 miliard euro investime në infrastrukturë, duke vlerësuar se kryeqyteti po bëhet “i pajetueshëm”.

Kosova, siç tha ai, duhet të fokusohet në zhvillimin ekonomik, uljen e inflacionit dhe rritjen e prodhimit të energjisë. Gjini shtoi se AAK-ja është e gatshme të sigurojë kuorumin për konstituimin e institucioneve, pa vendosur kushte për poste politike. “Jemi të gatshëm ta bëjmë kuorumin, por po lypim diçka për qytetarin e Kosovës, jo për vete.

Nuk duam as ministra, as ambasadorë, as borde” – deklaroi ai. I pyetur për mundësinë që Ramush Haradinaj të propozohet për president, Gjini tha se edhe në atë rast qëndrimi i AAK-së mbetet i njëjtë. “Nëse Ramush Haradinaj propozohet për president, për ne do të ishte nder, por nuk vendosim asnjë kusht. Nuk duam me e blloku Kosovën” – tha ai.

Kryetari i AAK-së, u pyet nga KALLXO.com për deklaratën e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili në emisionin Rubikon në KLAN KOSOVA më , tha se ekziston një skemë që partitë opozitare të bashkohen për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, me qëllim që Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje të fitojnë deri në 80 për qind të votave. Por, Gjini mohoi se ka dëgjuar për një skemë të tillë.

“Nuk e kam dëgjuar këtë skemë dhe nuk ekziston një skemë e tillë” – deklaroi ai. Kreu i AAK-së nuk dha komente të tjera lidhur me pretendimin e Abdixhikut. Gjini mes tjerash tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pse t’i dërgojë ftesë AAK-së sepse ky subjekt nuk po kërkon asnjë post qeveritar. Zgjedhja e presidentit të ri mbetet një nga sfidat më të mëdha pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Nëse Kuvendi konsituohet shpejt, deputetët e rinj do të kenë 60 ditë afat për ta zgjedhur kreun e vendit. Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në seancën e fundit, e cila kishte nisur më 27 prill dhe përfundoi më 28 prill, nuk pati kuorum për votim.

Ndonëse juridikisht nuk ka një dispozitë të prerë që përcakton se cili proces duhet të ketë përparësi absolute, në një rast të tillë kur Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se 60 ditë është afati për zgjedhjen e presidentes, njohësit e Kushtetutës dhe çështjeve ligjore vlerësojnë se, për shkak të afateve dhe rrezikut nga vakumi institucional, zgjedhja e kryetarit të shtetit duhet të jetë prioriteti kryesor.

Paragrafi numër 182 i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës , specifikon se Kuvendi ka në dispozicion afatin gjashtëdhjetë (60) ditor përpara hyrjes në periudhën tridhjetë (30) ditore të përcaktuar me paragrafit 2 të nenit 86 të Kushtetutës.

Megjithatë, sipas aktgjykimit, në kontekst të rrethanave të rastit, ndërlidhur me afatin e përcaktuar kushtetues të zgjedhjes së Presidentit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional dhe duke iu referuar qëllimit të normave kushtetuese, “Gjykata vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit.” Derisa numërimi i votave të partive politike ka përfunduar, ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare pasi që pritet a do të ketë ankesa në Gjykatën Supreme dhe eventualisht deri në epilogun e rastit.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare pritet përfundimi i afatit për ankesa përsëri për t’u certifikuar rezultati pastaj dhe të fillojë afati 30 ditor për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Burimi: Kallxo