Komentet fyese për personat me aftësi të kufizuara, pengesë serioze e integrimit

0%

Në jetën e tyre publike, personat me aftësi të kufizuara përballen disa herë më shumë me komente ofenduese e paragjykuese për dukjen dhe aftësitë e tyre. Fetah Rudi, për gati dy dekada, është pjesë e jetës publike. Fillimisht si asamblist në Kuvendin Komunal të Malishevës për 13 vite e pastaj edhe si deputet në nivel qendror.

Daljet e shpeshta në televizion e pjesëmarrja nëpër tubime publike e kanë ballafaquar atë me komente jo fort të këndshme. Rudi është pjesë e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara që 26 vite.

“Pas paraqitjeve të mija publike apo në pjesëmarrje nëpër tubime, ka pasur komente negative, s’mund të them që nuk ka pasur, po i kam shmangur me qëllim, i kam injoru e kam kqyrë punën time…” – thotë Rudi. “Unë jam mirëprit çdoherë, por ka pasur raste kur i kam dëgju duke thënë ‘Çka po vjen ky me karrocë, pse ky del me karrocë në Facebook’, ose ‘Pse ky deputet me karrocë’.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Këto janë që i kam dëgju, po i kam injoruar, kam vazhduar me punët e mija” – thotë ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës. Sipas vlerësimeve të organizatave të shoqërisë civile, duke u bazuar në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në Kosovë jetojnë rreth 150 mijë persona me aftësi të kufizuara ndërsa të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ( ASK ) për skemat sociale dëshmojnë se mbështetje financiare nga shteti marrin rreth 25 mijë persona.

Në këto shifra, sipas ASK-së janë të përfshirë edhe fëmijët dhe personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Çdo ditë, ata përballen me qasje të kufizuar në lëvizje, mundësi jo të barabarta në punësim dhe shkollim e deri te komentet fyese e denigruese. Gjuha e urrejtjes, shpesh për personat me aftësi të kufizuara, kthehet në pengesë për integrim në jetën sociale.

Pranvera Musaj nga Suhareka punon si monitoruese e kamerave në një biznes privat që dhjetë vite. Ajo thotë se komentet shpeshherë e kanë demotivuar. “Komentet negative kanë ndikuar, nuk di ndoshta prej dhembshmërisë që e kanë pasë, shpesh herë kanë thënë ‘Pse je tu punu, a nuk i ki kushtet a’” – kujton Musaj.

“Këto lloj komentesh të bëjnë të ndihesh keq dhe fillon t’i shohësh gjërat pak më ndryshe dhe të bëjnë të ndihesh e demoralizuar, por unë kam vazhduar dhe asnjëherë nuk jam dorëzuar” – thotë ajo. Në të kaluarën, sipas saj, komentet negative dhe gjuha e urrejtjes ishin më të pranishme.

“Gjithmonë ka pasur paragjykime, nëse nuk kanë folur, kanë pasur shikime, kanë pasur reagime të ndryshme kur kanë pa që kemi dalë me pi një kafe, kur na kanë pa që jemi pjesë e shkollimit… ka pasur edhe ndonjë koment, por tash ka më pak” – thotë Pranvera Musaj. Mentor Mehmetaj është një tjetër person me aftësi të kufizuara nga Skenderaji.

Që 18 vite ai është pjesë e një kompanie private ku punon si IT. Përgjatë viteve, ai është përballur me komente fyese vetëm pse ka qenë në karrocë invalidore. “Normal që ka pasur fjalë, kam dëgjuar komente të ndryshme, por më e rënda ka qenë kur më kanë thënë: ‘A ki nënë? Mjera nëna çka po shihka në ty’. Ka qenë shumë e rëndë, vetëm pse më kanë pa në karrocë” – kujton Mehmetaj.

“Në jetën e përditshme ne paragjykohemi të gjithë, paragjykohemi edhe për punën që e bëjmë, edhe prej shoqërisë, rrethit e prej të gjithëve. Nëse nalemi me i dëgju fjalët e njerëzve, ne duhet me i ndal krejt në jetë” – thotë tutje ai.

Organizatat e shoqërisë civile që merren me mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në vazhdimësi kanë ngritur alarmin për gjuhën që përdoret ndaj personave me aftësi të kufizuara. Gjuha e urrejtjes ndaj këtij komuniteti ndikon në socializimin e tyre, vlerëson Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës.

“Në Kosovë, personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me paragjykime të shumta, të cilat shpesh i shtyjnë drejt ndjenjave të pasigurisë, komplekseve, frikës dhe izolimit social. Këto nuk ndikojnë vetëm në mirëqenien e tyre emocionale, por edhe në mundësitë reale për përfshirje në shoqëri” – thotë HANDIKOS.

“Fatkeqësisht, edhe sot, personat me aftësi të kufizuara shpesh shihen nga një këndvështrim bamirësie dhe jo si bartës të të drejtave të barabarta njerëzore. Ky perceptim është i përhapur jo vetëm në shoqëri, por edhe në institucionet publike dhe private, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si hartohen politikat dhe ofrohen shërbimet” – konstaton HANDIKOS.

Sipas kësaj organizate, diskriminimi ndaj personave me aftësi të kufizuara ndahet në tri forma: paragjykues, mjedisor dhe institucional. “Diskriminimi mjedisor shfaqet kur hapësirat fizike, si ndërtesat, institucionet publike, shkollat apo transporti, nuk janë të dizajnuara për të qenë të qasshme për të gjithë.

Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme i përjashton nga pjesëmarrja e barabartë në jetën shoqërore” – konstaton HANDIKOS. “Ndërkaq, diskriminimi institucional ndodh kur ligjet dhe politikat hartohen pa përfshirjen e vetë personave me aftësi të kufizuara, duke mos reflektuar nevojat dhe të drejtat e tyre reale.

Mungesa e zërit të tyre në vendimmarrje përforcon pabarazitë ekzistuese” – thuhet tutje në deklaratën e HANDIKOS. Një nga problemet që vazhdon të jetë i pranishëm në shoqëri është edhe përdorimi i terminologjisë së pasaktë për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas HANDIKOS-it, shprehje si “nevoja të veçanta”, “pa aftësi” apo “aftësi ndryshe” përdoren ende nga qytetarët, institucionet dhe mediat, pavarësisht se termi i drejtë dhe zyrtar është “persona me aftësi të kufizuara”.

Të pabarabartë në shoqëri Për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe stereotipeve negative, personat me aftësi të kufizuara kanë mbetur të pabarabartë në pjesëmarrjen e tyre sociale, edukative dhe profesionale. “Kur dëgjon komente negative, natyrisht që të prekin, të lëndojnë…

Pse me ofendu, ai është person me aftësi të kufizuar, sikur ai shëndoshi, sikur unë kemi dëshirë me qenë pjesë e shoqërisë, kemi dëshirë me dal me pi kafe me shoqëri, me qenë i pranueshëm, jo me kqyrë me një sy tjetër…” – thotë ish-deputeti Fetah Rudi. Ivana Rakiq është drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Më mbështet” në Mitrovicë të Veriut.

Ajo ka një vajzë me aftësi të kufizuara dhe, kur komenton pabarazinë ndaj personave me aftësi të kufizuara, thotë se të tjerët nuk kanë informacione të mjaftueshme për këtë kategori. “Unë vetë jam prind i një fëmije me aftësi të kufizuara dhe nuk i fajësoj njerëzit për këtë, por mendoj se ata nuk janë mjaftueshëm të njohur me problemet me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara.

Një vështrim habie ose keqkuptimi është i mjaftueshëm kur një fëmijë është në rrugë ose kur e çojmë te mjeku” – thotë ajo. Ajo thekson se për vite me radhë është bërë punë për t’i treguar shoqërisë se personat me aftësi të kufizuara nuk janë vetëm përgjegjësi e një prindi. “Ata janë pjesë e shoqërisë dhe duhet të pranohen” – thotë Rakiq.

“Kur bëhet fjalë për punësimin, të gjithë e dimë se si është situata në vendin tonë. Fatkeqësisht, mungon empatia dhe ndërgjegjësimi se edhe ky person ka të drejtë për punësim. Kjo i dëmton si prindërit ashtu edhe personat me aftësi të kufizuara” – vlerëson Rakiq. Kosova garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

Kushtetuta dhe ligjet në vend thonë që askush nuk mund të diskriminohet mbi bazën e aftësisë së kufizuar. Janë një varg institucionesh që kujdesen dhe trajtojnë rastet e diskriminimit të personave me aftësi të kufizuara në vend. Megjithatë, institucioni i Avokatit të Popullit ka identifikuar mungesa në trajtimin e rasteve të kësaj kategorie.

“Gjykatat kanë trajtuar një numër rastesh që lidhen me diskriminimin e personave me aftësi të kufizuara në qasjen në hapësira publike. Megjithatë, numri i rasteve të trajtuara nga gjykatat që kanë të bëjnë me diskriminimin në përgjithësi mbetet relativisht i ulët” – thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

“Për më tepër, Avokati i Popullit ka vërejtur se gjatë trajtimit të rasteve të diskriminimit, gjykatat nuk e zbatojnë në mënyrë të plotë Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi” – thuhet tutje në përgjigje. Meriton Binakaj ka studiuar në drejtimin e shkencave sociale, por fakulteti i përfunduar vite më parë nuk i garantoi punësim të barabartë.

Në mënyrë që të jetë në konkurrencë për një vend pune, ai tani ka nisur studimet në nivelin master, në drejtimin menaxhim i burimeve njerëzore. Binakaj është person me aftësi të kufizuara nga Gjakova. Ai thotë se paragjykimet dhe stereotipet ekzistojnë në shoqërinë tonë.

“Kur të vjen puna te punësimi ose te shkollimi ka njëfarë stepjeje që mendojnë se ne nuk mundemi me bë një punë ose të njëjtën punë si të tjerët. Pra jemi të pabarabartë kur vjen fjala te punësimi dhe arsimimi… Këtu janë ato stereotipet që neve po na pengojnë më shumë” – thotë Meriton Binakaj. Përkundër ambientit me paragjykime, Binakaj thotë se asnjëherë nuk është dorëzuar.

Ka provuar duke aplikuar në shumë vende pune. “Unë nuk kam ndonjë rast kur kam refuzuar të punësohem, përkundrazi unë kam aplikuar në shumë vende të punës edhe s’më kanë pranuar për shkak të paragjykimeve se nuk mund të kryej punën” – deklaron ai. “Po unë tash jam duke përfunduar shkollimin master në Pejë që me mujtë nesër ose pasnesër me e gjetë një vend pune e me jap kontributin tim.

Por kur vjen puna te punësimi, thonë shiko gjendjen, fillojnë me u stepë, thonë ‘duhet me ta gjetë një punë kështu, jo ashtu’. Unë e di se ku duhet me apliku sepse i di edhe kapacitetet e mia” – thotë ai.

Hulumtimet ndër vite të organizatave që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut konstatojnë një diskriminim sistematik të personave me aftësi të kufizuara në punësim dhe qasje të barabartë.

Një hulumtimi i “ Internews Kosova ” në vitin 2023 tregoi se diskriminimi ndaj personave me aftësi të kufizuara nuk mbetet vetëm në nivel paragjykimesh, por shfaqet edhe në mungesë të qasjes fizike dhe përjashtim nga punësimi.

Sipas këtij hulumtimi, në nivel vendi janë përmbushur vetëm 6.77 për qind e obligimeve infrastrukturore për qasje, ndërsa në 26 institucione publike, me mbi 3 mijë punëtorë, janë gjetur më pak se 10 persona me aftësi të kufizuar të punësuar.

Hulumtimi po ashtu ka gjetur se Universiteti i Prishtinës nuk ka asnjë person me aftësi të kufizuar të punësuar dhe nuk ka të dhëna për numrin e studentëve me aftësi të kufizuar që ndjekin studimet.

Nërsa një hulumtim tjetër i vitit 2024 , i realizuar në 27 institucione publike, ka gjetur se asnjë prej institucioneve të monitoruara nuk i respektonte plotësisht standardet ligjore për qasje dhe barazi. Kjo tregon se, pavarësisht kornizës ligjore, personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me pengesa të përditshme në institucionet publike.

Problemet më të shpeshta të evidentuara ishin mungesa e ashensorëve, mungesa e tualeteve të qasshme, mungesa e parkingjeve të dedikuara, mungesa e sinjalistikës për persona të verbër dhe të shurdhër, si dhe mungesa e akustikës për personat e verbër. Sipas Meriton Binakajt gjuha që shpesh përdoret për personat me aftësi të kufizuar lë pasoja të rënda.

Ai bën thirrje që të gjithë personat nga kjo kategori të jenë aktiv dhe të angazhohen në mënyrë që të integrohen në shoqëri.

“Gjuha e urrejtjes dhe stereotipet ndikojnë tek personat me aftësi të kufizuara, në veçanti tek ata që s’janë aktiv që nuk e kanë pranu jetën në një farë forme qysh vjen, dikush bën aksident dikush e ka aftësinë e kufizuar që nga lindja dhe paragjykimet ndikojnë në gjendjen e tyre emocionale” – thotë Binakaj.

I riu nga Gjakova ka edhe një lutje për institucionet publike dhe private, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të kenë qasje më të lehtë në lëvizje. “Unë mendoj që problemi kryesor mbetet infrastruktura dhe lëvizja e lirë. Kur të lëvizë i lirë e ke shumë më të lehtë.

Pastaj, është mundësia për punë, me na u dhënë mundësia që edhe ne me punu se si po na shohin spo na japin mundësinë dhe e treta ish kanë që rrethi mos me na paragjyku dhe me na mbështetë” – thotë Meriton Binakaj.

Burimi: Kallxo