Ish-volejbollistja e mirënjohur dhe profesoresha, Mimoza Shkodra, ish-reprezentuese e Kosovës, ka uruar 31-vjetorin e gazetës kombëtare “Bota sot”. Shkodra, e cila për vite me radhë ka qenë nënkryetare e Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe ka qenë ish-nënkryetare e Federatës së Volejbollit të Kosovës, ka vlerësuar lart rolin e gazetës “Bota sot” në afirmimin e sportit të Kosovës.
Ajo ka theksuar se kjo gazetë ka qenë një zë i rëndësishëm i sportit dhe i sportistëve të Kosovës, duke përcjellë me përkushtim zhvillimet, sukseset dhe sfidat e sportit ndër vite. Ajo ka uruar stafin e gazetës për 31-vjetorin, duke shprehur dëshirën që “Bota sot” të vazhdojë edhe në të ardhmen misionin e saj informues, me profesionalizëm, korrektësi dhe përkushtim ndaj sportit.
“Urime 31-vjetorin, ‘Bota Sport’! Për 31 vite me radhë, “Bota Sport” ka qenë shumë më tepër se një gazetë apo revistë sportive. Ajo ka qenë zëri i sportistëve, kronikane e sukseseve dhe dëshmitare e sakrificave të gjeneratave të tëra.
Si ish-volejbolliste, kam pasur privilegjin të jetoj emocionet e sportit dhe ta shoh nga afër rëndësinë që ka një medium që i jep hapësirë dhe vlerë punës së sportistëve. Në faqet e “Bota Sport” janë pasqyruar ëndrrat, fitoret dhe sfidat e shumë sportistëve, duke përfshirë edhe ata të volejbollit.
Në këto 31 vite, “Bota Sport” ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në promovimin dhe zhvillimin e sportit në Kosovë. Ajo ka qenë pranë sportistëve në momentet më të bukura, por edhe në kohët më të vështira, duke mbetur gjithmonë një mike e sportit.
Me respekt dhe mirënjohje, ju uroj edhe shumë vite të tjera suksesi, duke vazhduar të shkruani historinë e sportit tonë dhe të frymëzoni gjeneratat që vijnë. Gëzuar 31-vjetorin, ‘Bota Sport’!”, ka deklaruar Shkodra.
