Me rritjen e temperaturave, rritet edhe rreziku nga paraqitja e rriqrave. Njëra nga komunat më të prekura nga ky fenomen në Kosovë mbetet Malisheva, ku rastet e pickimit ndodhin pothuajse çdo ditë. Në urgjencë sapo ka arritur një qytetare që është pickuar nga rriqra.
Kjo qytetare, e cila nuk deshi të flasë para kamerës, tha se e ka vërejtur herët dhe menjëherë është paraqitur në qendrën mjekësore. Adem Hoti, infermier tha se procedurat janë shumë të shkurtra, rreth 4 apo 5 minuta, dhe tërhiqet rriqra.
Edhe banorët e tjerë të fshatrave të Malishevës thonë se ka pickime nga rriqrat, por viteve të fundit shkalla e infektimit nuk është aq e lartë sa ka qenë vite më parë. “Këto vite janë shumë më mirë dhe për momentin nuk e dimë që ka ndonjë rast me infektim ose me fatalitet, siç ka ndodhur vite më herët. Ka pickime nga rriqrat, por nuk ka rrezikshmëri të madhe”, thotë një banor.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Dardan Bytyqi, thotë për RTK, se në kuadër të masave parandaluese kundër etheve hemorragjike apo pickimit nga rriqrat, kanë filluar një sërë aktivitetesh informuese dhe edukative. “Gjëja e parë që duhet bërë është që pacienti të mos e heqë vetë rriqrën.
Pavarësisht arsimimit apo edukimit që ka pacienti, deri më tani nuk kemi pasur ndonjë rast fatal, siç kemi pasur më herët”, t ha ai. Ndërsa drejtori për Shëndetësi në Komunën e Malishevës, Amrush Elshani, thotë se pas paraqitjes së rasteve të para të pickimit nga rriqrat këtë vit, Komuna e Malishevës ka riaktivizuar shtabin komunal për menaxhimin e etheve hemorragjike Krime-Kongo.
“Pra, shtabi komunal emergjent në Komunën e Malishevës i ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të filluar fushatën e dezinsektimit të zonave endemike në komunë”, tha ai.
Sipas statistikave nga komuna, këtë vit janë regjistruar rreth 700 raste të pickimit nga rriqrat, ndërsa për të ulur numrin e pickimeve dhe shkallën e infektimit po vazhdon spërkatja e zonave endemike, duke nisur nga fshatrat që kanë numrin më të madh të rasteve. “Momentalisht, deri tani janë spërkatur rreth dhjetë fshatra të Komunës së Malishevës.
Pickimet vazhdojnë, por për fat të mirë nuk kemi pacientë apo qytetarë të infektuar” , tha Elshani. Mjekët e kësaj komune u kanë bërë thirrje qytetarëve të Malishevës për kujdes të shtuar, ndërsa në momentin që vërejnë pickimin nga rriqrat, të mos i heqin vetë, por të paraqiten në qendrat mjekësore më të afërta.
