Një punonjës i Policisë së Burgjeve është kapur në flagrancë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, pasi dyshohet se ka tentuar të fusë lëndë narkotike për një të paraburgosur.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rasti është zbuluar pas analizës së riskut ndaj punonjësve të dyshuar për përfshirje në futjen e sendeve të ndaluara, si dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Efektivi është pezulluar menjëherë nga detyra, ndërsa gjatë kontrollit fizik ndaj tij është gjetur edhe një sasi tjetër e dyshuar me lëndë narkotike. Ndërkohë, gjatë kontrolleve në IEVP Fier, autoritetet kanë sekuestruar dy telefona celularë dhe një fishë karikimi në ambientet e paraburgimit. Deri më tani nuk është identifikuar personi që ka futur sendet e ndaluara në institucion.
Autoritetet kanë bërë të ditur se të dy rastet janë duke u hetuar në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ndërsa po vijojnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjeve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
