Kombëtarja e Zvicrës e ka kaluar fazën e grupeve dhe ka siguruar kualifikimin në të gjashtëmbëdhjetën e finales së Kampionatit Botëror. Ish – reprezentuesi zviceran, Blerim Xhmaili, ka ngritur shqetësimin për menaxhimin e minutave të lojtarëve nga përzgjedhësi Murat Yakin, sidomos për mosaktivizimin e Noah Okaforit.
“Është shumë e mundur që tani njëri apo tjetri të jetë i pakënaqur”, ka thënë Xhemaili në episodin më të ri të podkastit mediumit zviceran “Blick” “FORZA!”. Legjenda e FC Zurich beson se Murat Yakin ka bërë shumë zëvendësime “Ai dëshiron t’u japë shumë lojtarëve kohë loje, për t’i mbajtur të kënaqur. Por kam frikë se kjo mund të ketë efekt kundër.
Për shembull, te Fabian Rieder ose Dan Ndoye, të cilët luajnë e pastaj nuk luajnë më. Edhe te Silvan Widmer. Për të besoj se vetëbesimi i tij ka rënë disa për qind” , ka theksuar Xhemaili. Një prej lojtarëve që vështirë se mund të jetë i kënaqur me minutazhin është Noah Okafor. Ylli i Leeds Utd ende nuk ka luajtur asnjë minutë në këtë Botëror.
Kjo situatë ka hapur shumë pikëpyetje, ndërsa Xhemaili ka thënë se nuk e kupton arsyen pse Okafor nuk ka pasur rol deri më tani. “Tani që Okafor është kthyer pas një sezoni të fortë dhe problemet me Murat Yakin janë sqaruar, nuk e kuptoj pse deri tani nuk ka pasur fare rol”, është shprehur ai. Prandaj, Xhemaili e mban përgjegjës edhe trajnerin e ekipit kombëtar.
“Murat duhet të bëjë biseda shumë të mira në ditët e ardhshme. Ai vetë ka thënë se ka biseduar me Okaforin dhe i ka siguruar se shansi i tij do të vijë. Por në një moment fjalët nuk mjaftojnë më. Nëse si lojtar dëgjon vazhdimisht se shansi yt do të vijë, por nuk merr asgjë në formën e minutave të lojës, atëherë me kohë dëmtohet edhe besueshmëria”, ka deklaruar Xhemaili.
Duke e konsideruar Okaforin një prej lojtarëve që mund të bëjnë diferencën, Xhemaili ka ngritur një pyetje të rëndësishme. “A është Noah Okafor vërtet 100 për qind i gatshëm fizikisht?”, ka pyetur ish-mesfushori zviceran. Deri në ndeshjen e ardhshme, që Zvicra do ta luajë pas një jave, mund të ketë më shumë qartësi edhe rreth situatës së Okaforit.
Ende nuk dihet se me cilin kundërshtar do të përballet Zvicra në të gjashtëmbëdhjetën e finales, por sipas përllogaritjeve, mundësitë më të mëdha janë për një duel me Algjerinë ose Austrinë. “Për asnjërën prej këtyre dy kombëtareve nuk kam ndonjë shqetësim të madh”, ka thënë Xhemaili. Sipas tij, as Algjeria dhe as Austria nuk e kanë bindur plotësisht deri më tani.
“Zvicra do të ishte favorite ndaj të dyja skuadrave”, ka vlerësuar ai. “Një ndeshje kundër Algjerisë do të kishte hijeshinë e saj. Do të ishte një ribashkim me Vladimir Petkoviqin. Do të ishte një histori e bukur. Jam i bindur se ai do të duhej të jepte disa intervista para ndeshjes, gjë që, siç dihet, e bën me shumë dëshirë”, ka thënë Xhemaili me humor.
Xhemaili beson se vetëm një përballje e mundshme në të tetën e finales kundër Portugalisë ose Kolumbisë do ta vështirësonte dukshëm rrugëtimin e Zvicrës. “Atëherë flasim për një nivel krejt tjetër. Kjo do të ishte pengesa e parë e vërtetë në këtë turne”, ka deklaruar ai. Megjithatë, Xhemaili e pret fazën nokaut me shumë optimizëm. “Tani turneu fillon vërtet”, k a thënë ai.
Sipas tij, vendimtare në ditët në vijim do të jetë atmosfera dhe uniteti brenda kombëtares. “Yakin duhet ta formojë ekipin si një njësi në ditët e ardhshme. Për këtë nevojitet ekuilibri i duhur mes stërvitjes dhe pushimit”, ka përfunduar Xhemaili.
