‘Shpalosja e së Vërtetës’ – Në Prishtinë lansohet dokumentari për personat e zhdukur gjatë luftës

0%

Para publikut në muzeun “Reporting House” në Prishtinë, më , u shfaq dokumentari i realizuar nga BIRN Kosova, i cili sjell në qendër historitë e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe dhimbjen e familjeve që prej më shumë se dy dekadash vazhdojnë të jetojnë mes pritjes, pasigurisë dhe mungesës së më të dashurve të tyre.

Dokumentari rikthen kujtimet e atyre që ende kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë për familjarët e zhdukur. Edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, fati i rreth 170 personave nga Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Lipjani dhe Graçanica vazhdon të mbetet i pazbardhur.

Pas secilit rast qëndrojnë familje që ende jetojnë me dhimbjen e mungesës dhe pritjen për të mësuar të vërtetën për më të dashurit e tyre. Ndërkohë, mijëra familjarë vazhdojnë të përballen me pasojat e krimeve të luftës, duke bartur traumën në jetën e përditshme, por edhe te brezat që kanë lindur pas saj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

E pranishme në lansimin e dokumentarit ishte edhe Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila tha se përmbyllja e projektit “Na mungojnë” nuk nënkupton fundin e rrëfimeve dhe kërkimit të familjeve për të vërtetën mbi fatin e më të dashurve të tyre të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu Sipas saj, dokumentarët dhe debatet publike të realizuara në kuadër të projektit kanë sjellë në vëmendje dhimbjen dhe pritjen e familjeve, por historia e tyre vazhdon edhe pas përfundimit të aktiviteteve.

“Për familjet e personave të zhdukur me dhunë, kjo është kërkesa e vetme: ta dinë ku janë më të dashurit e tyre” – tha Haxhiu. Ajo theksoi se mungesa e përgjigjeve lidhet drejtpërdrejt me moshapjen e arkivave shtetërore të Serbisë, duke vlerësuar se në to mund të gjenden informacione të rëndësishme për vendndodhjen e personave të zhdukur.

“Përgjigje nuk ka, sepse Serbia ende i mban të mbyllura arkivat e saj ushtarake, policore dhe shtetërore. Ndaj, në këtë proces Serbia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë” – deklaroi ajo. Haxhiu kërkoi që çështja e hapjes së arkivave të mos mbetet në vullnetin e autoriteteve serbe, por të trajtohet si obligim ndërkombëtar ndaj familjeve të personave të zhdukur.

“Hapja e arkivave nuk mund të mbetet çështje e vullnetit të Beogradit. Partnerët ndërkombëtarë duhet ta trajtojnë këtë si detyrim të qartë të Serbisë ndaj familjeve, ndaj Republikës së Kosovës, ndaj historisë sonë dhe ndaj së vërtetës” – tha Haxhiu.

Presidentja në detyrë shtoi se, megjithëse personat e zhdukur shpesh përmenden si statistika, dokumentarë të tillë rikthejnë në qendër historitë njerëzore pas numrave.

“Rreth 1,600 persona ende janë në listat e të pagjeturve dhe shpeshherë përmenden si numra e statistika, por dokumentarë të tillë shkojnë përtej statistikave, duke na dhënë emrat, fytyrat dhe rrëfimet e tyre përmes zërave që kanë pritur shumë gjatë” – tha Haxhiu.

Zëvendësshefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, tha se megjithëse ky aktivitet shënon përfundimin e një projekti, ai nuk nënkupton fundin e përkushtimit të përbashkët për të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin.

Zëvendësshefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, Ajo theksoi se dokumentari dhe diskutimet që pasojnë shërbejnë si kujtesë se kërkimi për të vërtetën dhe drejtësinë duhet të vazhdojë. “Kujtimi i personave të zhdukur dhe qëndrimi pranë familjeve të tyre nuk është vetëm një akt solidariteti, por edhe një përgjegjësi.

Po, ne në Bashkimin Evropian kujdesemi për të kaluarën, për drejtësinë tranzicionale dhe për pajtimin” – tha Palatova. Sipas saj, ruajtja e kujtesës është thelbësore për të mos lejuar që vuajtjet të harrohen apo të shtrembërohen, si dhe për t’u mundësuar brezave të ardhshëm të kuptojnë koston njerëzore të konfliktit.

Ajo shtoi se Bashkimi Evropian prej kohësh ka mbështetur drejtësinë tranzicionale dhe proceset e pajtimit në gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, duke theksuar se këto procese duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të udhëhequra lokalisht dhe të bazuara në të drejtën ndërkombëtare.

Pas luftës, në më shumë se 2,000 lokacione janë gjetur mbetje mortore të viktimave, ndërsa procesi i kërkimit dhe identifikimit vazhdon ende. Pas shfaqjes së dokumentarit u mbajt një panel diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe të organizatave që merren me çështjen e personave të zhdukur.

Në panel morën pjesë Ilir Morina nga Prokuroria Speciale, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Dushan Radakoviq nga ACDC dhe Kreshnik Gashi nga KALLXO.com.

Në panel u diskutua për punën e deritanishme dhe angazhimin e vazhdueshëm në trajtimin e çështjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, duke u theksuar rëndësia e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar në zbardhjen e fatit të tyre.

Panelistët vlerësuan përpjekjet e deritanishme, por njëkohësisht nënvizuan se ky proces mbetet ende i hapur dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm deri në gjetjen e personit të fundit në listën e personave të zhdukur. Shfaqja e dokumentarit në Prishtinë është pjesë e një serie prej tetë dokumentarësh që BIRN Kosova i ka promovuar në tetë rajone të Kosovës.

Përmes këtyre dokumentarëve synohet dokumentimi i historive të personave të zhdukur, ruajtja e kujtesës kolektive dhe krijimi i një hapësire për diskutim publik e institucional mbi një nga plagët më të rënda dhe ende të pazgjidhura të pasluftës në Kosovë.

Dokumentari “Shpalosja e së Vërtetës” është shfaqur në tetë komuna të Kosovës, duke sjellë dëshmi, rrëfime dhe të dhëna për personat e zhdukur gjatë luftës. Shfaqja e parë u mbajt në Drenas , 145 persona nga Drenasi, Skenderaj dhe Vushtrria vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Më pas dokumentari u prezantua në Mitrovicë , ku u bë e ditur se rreth 100 persona nga rajoni i Mitrovicës ende figurojnë të zhdukur. Në Prizren, u theksua se, sipas të dhënave të prezantuara, rreth 1 mijë e 560 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur pas luftës në Kosovë, ndërsa rreth 280 prej tyre janë nga rajoni i Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Mamushës.

Dokumentari u shfaq edhe në Pejë, ku u prezantuan dëshmi për mizoritë e kryera gjatë luftës në zonën e Dukagjinit, ku viktimat civile u torturuan, u vranë dhe trupat e tyre u zhdukën për të fshehur gjurmët e krimeve. Sipas të dhënave të paraqitura, rreth 400 persona nga Peja, Klina, Istogu dhe Deçani vazhdojnë ende të jenë të zhdukur.

Në Gjilan , u bë e ditur se rreth 50 persona nga Gjilani, Kamenica, Ranillugu, Parteshi dhe Vitia vazhdojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur. Ndërkaq, në Ferizaj, u theksua se rreth 80 persona nga Ferizaj, Kaçaniku, Shtimja, Hani i Elezit dhe Shtërpca vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës.

Burimi: Kallxo