​Çmimet e naftës bien në nivelet para luftës, ndërsa rihapet Ngushtica e Hormuzit

0%

Çmimet e naftës kanë rënë në nivelet më të ulëta që nga periudha para shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme, ndërsa Ngushtica strategjike e Hormuzit po rihapet gradualisht pas marrëveshjes së paqes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

Nafta e papërpunuar “Brent” zbriti nën 73 dollarë për fuçi për herë të parë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, duke rënë në një moment rreth 2%, në 72.24 dollarë për fuçi. Rënia e çmimeve rrit shpresat për lehtësimin e kostos së jetesës, pasi pritet që ulja e çmimeve me shumicë të naftës të reflektohet gradualisht edhe në çmimet e karburanteve në pikat e furnizimit.

Zhvillimi vjen pas marrëveshjes së përkohshme të javës së kaluar për t’i dhënë fund luftës dhe rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shtetet e Bashkuara dhe Irani nënshkruan të premten një memorandum mirëkuptimi me vlefshmëri 60-ditore, në kuadër të të cilit Uashingtoni ka lehtësuar pjesërisht sanksionet ndaj eksporteve iraniane të naftës. Të dyja palët kanë tani dy muaj kohë për të negociuar një marrëveshje përfundimtare dhe afatgjatë, e cila do të përfshijë edhe garanci lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Megjithëse marrëveshja e përkohshme është vënë tashmë në provë, disa anije kanë nisur të kalojnë përsëri nëpër ngushticën jetike, duke transportuar naftë bruto, gaz natyror të lëngshëm (LNG), plehra kimike dhe mallra të tjera.

Susannah Streeter, drejtoreshë e strategjisë së investimeve në “Ëealth Club”, tha se frika për një krizë të zgjatur globale të energjisë e shkaktuar nga konflikti me Iranin po zbehet. “Shtrëngimi mbi Ngushticën e Hormuzit është liruar, trafiku i cisternave po zhvillohet më lirshëm dhe shqetësimet për furnizimin po pakësohen”, tha ajo.

Sipas Streeter, megjithëse duhet ende kohë për të eliminuar vonesat në transport dhe për të përmbushur plotësisht kërkesën globale, shtimi i prodhimit nga vendet eksportuese dhe riparimi i infrastrukturës po ushtrojnë presion për uljen e mëtejshme të çmimeve të naftës. Pas shpërthimit të konfliktit, çmimi i naftës u rrit deri në 120 dollarë për fuçi.

Lufta bllokoi praktikisht për afro katër muaj Ngushticën e Hormuzit, duke nxitur shqetësime për një rritje të fortë të inflacionit në mbarë botën.

Burimi: Bota Sot