“Kosova nuk merr pjesë në Samitin e NATO-s në cilësinë e shtetit pjesëmarrës”, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme. Në një status në Facebook, ky dikaster ka shkruar për të sqaruar “keqkuptimet dhe pasaktësitë e ngritura nga disa media rreth kësaj çështjeje.
“Për të sqaruar keqkuptimet dhe pasaktësitë e ngritura nga disa portale, theksojmë se Republika e Kosovës nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s në cilësinë e shtetit pjesëmarrës, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe aktualisht nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP)” – ka shkruar MPJD në Facebook.
MPJD ka sqaruar se pjesëmarrja e Kosovës në të kaluarën ka qenë në kuadër të aktivitetit “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), të organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në margjinat e Samitit të NATO-s.
“Ky aktivitet ishte një ngjarje e veçantë, e organizuar paralelisht me samitin, dhe nuk përbënte pjesëmarrje në vetë Samitin e NATO-s” – ka shkruar tutje MPJD.
Gjithashtu në sqarimin e këtij dikasteri thuhet se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe shtetet anëtare të saj, si dhe për avancimin e aspiratës së saj strategjike për anëtarësim të plotë në Aleancë. Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës.
Në raste të veçanta, në varësi të agjendës së samitit, ftesë mund të marrin edhe partnerë të NATO-s. Në samitin që do të mbahet në Ankara, përveç vendeve anëtare, ftesë kanë pranuar partnerët e NATO-s në kuadër të Indo-Pacific Four (IP4) – Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re – si dhe Ukraina, në cilësinë e partnerit të NATO-s.
