Një influencuese britanike e rrjeteve sociale është arrestuar në Dubai dhe po përballet me akuzën për vrasje, pasi dyshohet se ka goditur për vdekje me thikë partnerin e saj gjatë një konflikti në apartamentin ku po qëndronin. Brooke George, 23 vjeçe, u ndalua nga autoritetet në aeroport teksa po përpiqej të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo akuzohet për vrasje me paramendim të një shtetasi britanik 26-vjeçar, me të cilin kishte qenë në një lidhje. Sipas pretendimeve të saj, ngjarja ndodhi pas një episodi dhune, ku ajo ishte sulmuar fizikisht nga partneri. George ka deklaruar se kishte frikë për jetën e saj dhe se përdori një thikë kuzhine në përpjekje për t’u mbrojtur.
Familja e saj ka shprehur shqetësim të madh për gjendjen e saj dhe për procesin gjyqësor që e pret në Emiratet e Bashkuara Arabe. Nëna e saj ka deklaruar se vajza ishte në gjendje paniku dhe po kërkonte mënyra për t’u larguar nga vendi pas ngjarjes. Sipas raportimeve, çifti ishte njohur në rrjetet sociale dhe influencuesja kishte udhëtuar drejt Dubait për ta takuar.
Vizita e parë ishte zhvilluar pa probleme, ndërsa gjatë qëndrimit të dytë marrëdhënia mes tyre dyshohet se u përkeqësua. Autoritetet në Dubai kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa mbetet të përcaktohet nëse pretendimi i vetëmbrojtjes do të merret në konsideratë gjatë procesit gjyqësor. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
