Shpejtësia tej normave, alkooli në timon dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit vijojnë të mbeten ndër faktorët kryesorë që marrin jetë në rrugët e vendit. Në 6 muajt e parë të këtij viti janë shënuar 698 aksidente nga të cilët kanë humbur jetën 99 persona.
Në shkeljet më të shpeshtë të konstatuara nga ana e policisë rrugore është drejtimi i mjetit në gjendje të dehur ku janë arrestuar 910 drejtues si edhe drejtimi i mjetit pa patentë ku janë arrestuar 843 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i aksidenteve është rritur me 3.4 për qind.
Edhe të dhënat e muajit maj të publikuara nga Instat tregojnë se janë shënuar më shumë aksidente konkretisht 133 aksidente rrugore, ku 181 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur. Sipas statistikave, në 94 për qind të rasteve aksidentet janë shkaktuar nga sjellja e drejtuesve të mjeteve.
Grupmosha 25 deri në 34 vjeç rezulton të jetë më e përfshira në aksidente, dhe e diela dita që regjistron numrin më të lartë të aksidenteve. Për të frenuar këtë situatë, Policia e Shtetit ka ndryshuar strategjinë e kontrolleve në rrugë. Sipas qasjes së re, patrullat e Policisë Rrugore nuk do të ndalojnë më automjetet pa një shkak të ligjshëm.
Në vend të kontrolleve të rastësishme, do të zgjerohet përdorimi i mjeteve inteligjente teknologjike në akset rrugore, me qëllim evidentimin në kohë reale të shkeljeve, ndëshkimin e autorëve dhe mbi të gjitha parandalimin e aksidenteve.
