45 ushtarakë të Kosovës, pjesë e stërvitjes ndërkombëtare në Kroaci

0%

Shpërndaje në: Për 11 ditë, 45 ushtarakë të Kosovës kanë marrë pjesë në stërvitjen ndërkombëtare “Combat Power” në Slunj të Kroacisë, ka njoftuar ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Në një shkrim në Facebook, ai ka bërë të ditur se qëllimi i stërvitjes ka qenë rritja e ndërveprueshmërisë dhe përgatitja për të kontribuar në siguri dhe paqe.

Sipas Maqedoncit, ndër 3000 ushtarakët nga Kroacia dhe qindra pjesëtarëve prej SHBA-së, Italisë, Sllovenisë, Shqipërisë, Portugalisë, Malit të Zi, Rumanisë e Gjeorgjisë, ishin edhe një tog luftarak i këmbësorisë nga Kosova, përfshirë shoferë e kuzhinierë.

“Gjatë gjithë stërvitjes, pjesëtarët tanë dëshmuan profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të lartë, duke konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës zotëron aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar me sukses krah për krah me ushtritë aleate dhe partnere”, ka thënë Maqedonci. Ministri në detyrë ka thënë se kjo stërvitje është dëshmi e avancimit të Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Pjesëmarrja në një stërvitje si “Combat Power 26” nuk është vetëm një angazhim ushtarak. Ajo është dëshmi se Kosova po ecën përpara, po forcon kapacitetet e saj mbrojtëse dhe po bëhet çdo ditë e më e gatshme për t’u përballur me sfidat e sigurisë.

Ushtarët tanë po fitojnë përvojë, po rrisin aftësitë profesionale dhe po dëshmojnë se janë plotësisht të denjë për të marrë pjesë në misione dhe aktivitete ndërkombëtare. Ata janë krenaria jonë”, ka shtuar Maqedonci që bashkëpunimin me Kroacinë e ka cilësuar përtej strategjik.

“Ai është ndërtuar mbi një miqësi të sinqertë mes dy popujve dhe dy shteteve që qëndrojnë krah për krah përballë sfidave të përbashkëta”.

Burimi: Koha