Nga: Elda Islami Shpërndaje në: Udhëheqës institucionalë e kanë cilësuar 2 Korrikun e 1990-s si një nga momentet më të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetësisë.
Në diskutimin e organizuar të enjten, në nder të 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese, ata theksuan se me të u hodhën themelet politike e juridike për shtetin që u bë disa vite më vonë Në rrethana të jashtëzakonshme e nën masa të shtetrrethimit, 36 vjet më pare, 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese, akt që konsiderohet pikënisje e rrugës drejt shtetësisë së Kosovës.
Ngjarja pasoi heqjen e autonomisë së Kosovës më , kur autoritetet serbe bënë ndryshimet kushtetuese që suprimuan autonominë dhe shtuan presionin ndaj delegatëve shqiptarë për të miratuar ligje që do ta shtynin Kosovën drejt kontrollit të plotë të Beogradit.
Pavarësisht bllokimit të ndërtesës së Kuvendit dhe pamundësisë për të mbajtur seancën brenda saj, delegatët, me mbështetjen e qytetarëve, u mblodhën në platonë para objektit, ku edhe miratuan Deklaratën Kushtetuese.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në diskutimin e organizuar të enjten me disa nga delegatët e atëhershëm, tha se Kosova nuk pranoi të trajtohej e nënshtruar. “Deklarata përcaktoi aktin si vetëvendosje politike.
E vendosi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të konfederatës së Jugosllavisë dhe konfirmoi atë si bashkësi politike kushtetuese të qytetarëve dhe komuniteteve të barabarta. Ajo refuzoi amendamentet e Serbisë të vitit 1989 dhe vendosi që Kuvendi dhe bashkësia politike të emërtoheshin publikisht vetëm si Kosovë”, ka thënë Haxhiu.
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se 2 korriku është ditë historike. “Pa Republikën e parë të Kosovës, atë të vitit 1990 dhe të dekadës pasuese, nuk do ta bënim dot Republikën e Kosovës si shtet të pavarur të vitit 2008, shtëpinë shtetërore të sotme.
Ne i takojmë një brezi politikanësh që është tejet i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm se asgjë s’ka filluar me ne dhe asgjë nuk përfundon me ne. Gjithkush që ka qenë para nesh e ka trasuar rrugën dhe ka punuar, është angazhuar dhe ka sakrifikuar që ne të vazhdojmë”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit të asaj kohe dhe votues i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të 1990-s, Ilaz Ramajli, tha se deklarata nuk ishte vetëm akt juridik. “Këtij rrugëtimi iu bashkua rezistenca gjithëpopullore, sakrifica e UÇK-së dhe mbështetja vendimtare e miqve tanë ndërkombëtarë, në veçanti e SHBA-së. Të gjitha këto përbëjnë hallka të pandashme të historisë sonë të lirisë.
Sot, kur i kujtojmë ato ngjarje, ndiejmë krenari, por edhe përgjegjësi që brezat e rinj ta njohin këtë histori”, ka thënë Ramajli. Deklarata Kushtetuese, e përbërë nga pesë pika, ndër të tjera e shpalli Kosovën njësi të barabartë me republikat tjera, në kuadër të Jugosllavisë.
Dy muaj pas saj, u miratua edhe Kushtetuta e Kosovës, që njihet edhe si Kushtetuta e Kaçanikut, e ishte një tjetër hap drejt krijimit të një strukture juridike për shtetin që u bë disa vite më vonë.
