Dorëheqja e paralajmëruar e Hamzës nga PDK-ja, analistët zbulojnë

0%

Raportimet për dorëheqjen e mundshme të Bedri Hamzës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë hapur një debat të ri për zhvillimet brenda kësaj partie, raportet ndërmjet figurave të saj drejtuese dhe të ardhmen politike të subjektit më të madh opozitar.

Edhe pse ende nuk ka një vendim zyrtar për dorëheqjen e tij, vetë PDK-ja ka konfirmuar se Hamza ka paralajmëruar largimin nga drejtimi i partisë dhe se nuk do të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme të brendshme.

Ky paralajmërim vjen në një periudhë zhvillimesh të rëndësishme politike në Kosovë, pas miratimit të projektligjit që lidhet me Gjykatën Speciale dhe zgjedhjes së Presidentes së re, Justina Shiroka-Pula.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Qëndrimi i Hamzës ndaj këtyre zhvillimeve, përfshirë bashkëpunimin politik për çështje institucionale, ka ngritur pikëpyetje nëse largimi i tij lidhet vetëm me bilancin personal në krye të PDK-së apo edhe me pakënaqësi dhe përplasje të brendshme. Por, çfarë fshihet pas paralajmërimit të Bedri Hamzës për dorëheqje?

A po përballet PDK-ja me një krizë të re lidershipi dhe kush mund ta marrë drejtimin e saj? A do ta dobësojë largimi i Hamzës partinë apo do të hapë rrugë për ndryshime të brendshme?

Pikërisht për këto çështje, për “Bota sot” kanë folur analistët politikë Gani Qarri dhe Blerim Burjani, të cilët kanë paraqitur vlerësime të ndryshme për arsyet e largimit të paralajmëruar të Hamzës dhe pasojat që mund të ketë ky zhvillim për PDK-në.

Qarri: Përplasjet e brendshme dhe raportet me Kurtin mund të kenë ndikuar në largimin e Hamzës Fillimisht, analisti politik Gani Qarri vlerëson se paralajmërimi i Bedri Hamzës për largim nga drejtimi i PDK-së mund të lidhet me zhvillimet e fundit politike dhe me raportet e tij me figurat me ndikim brenda partisë.

Gani Qarri Sipas Qarrit, qëndrimi i Hamzës në raport me kryeministrin Albin Kurti, veçanërisht lidhur me miratimin e projektligjit për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjen e Presidentes së vendit, mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve të tij me drejtues të tjerë të PDK-së.

“Pas ‘kompromisit’ të Bedri Hamzës me kryeministrin Albin Kurti për miratimin e projektligjit për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjen e presidentes së vendit, si dhe zgjatja e dorës dhe përshëndetja miqësore nga Bedri Hamza me Kryeministrin Kurti dhe Glauk Konjufcën në Kuvend, duket-pa lejen e të fortëve të partisë, sikur kanë shkatërruar të gjitha raportet e tij edhe ashtu të ‘vakta’ me kryesin faktike të PDK-së, dhe kanë quar në largimin përfundimtar të Bedri Hamzës nga PDK, edhe nëse hipotetikisht nga zëdhënësit e partisë-thuhet se vetëm është biseduar në kryesi, por nuk është sjellë vendim ‘zyrtar’, për largimin e tij”, është shprehur Qarri për “Bota sot”.

Ai pretendon se brenda PDK-së ekzistojnë figura dhe grupe që kanë ushtruar ndikim të madh në vendimmarrjen e partisë, duke kufizuar, sipas tij, hapësirën e drejtuesve formalë për të ushtruar autoritetin e tyre. Në këtë kontekst, Qarri përmend Sami Lushtakun, për të cilin pretendon se ka pasur ndikim vendimtar në parti pas arrestimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Në anën tjetër, siç edhe dihet botërisht, kryetar faktik i partisë-në PDK, veçanërisht pas arrestimit të Thaçit dhe Kadri Veselit nga Gjykata Speciale, ka qenë Sami Lushtaku, ndërsa Bedri Hamzën e ka sjellë rastësia në PDK i cili edhe si kandidat, ishte i kontestuar që nga fillimi i emërimit të tij, për të parin e partisë.

Bedri Hamza edhe vet, duket se e sheh veten më tepër në sektorin e ekonomisë dhe nuk është i dhënë shumë pas bërjes së politikës së partisë, kur dihet mirëfilli, siç u cek edhe më lart, se pas arrestimit të Thaçit e Kadri Veselit, të gjithë emrat tjerë që kanë figuruar formalisht si të parët e PDK-së, kanë qenë të papranueshëm për Sami Lushtakun dhe grupin nga Drenica, dhe ata janë përdorur vetëm si formalitet, për tu ekspozuar para anëtarësisë dhe publikut të gjerë, pa mundësi të ushtrimit real të funksionit të kryetarit në këtë parti”, ka deklaruar Qarri.

Sipas tij, këto rrethana mund ta kenë shtyrë Hamzën të mendojë prej kohësh për largimin nga drejtimi i partisë, ndërsa procesi i zgjedhjeve të brendshme mund të shërbejë si momenti për konkretizimin e vendimit.

“Këto ishin vetëm disa nga argumentet rënduese, nga të cilat Bedri Hamza ka qenë i detyruar dhe memzi ka pritur rastin të ofrojë dorëheqjen e tij, i cili në pamundësi për të dhënë dorëheqje të menjëhershme, ka kohë që ka paralajmëruar publikisht se, me hapjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme, ai do të japë dorëheqje të parevokueshme dhe nuk do të rikandidojë më për kryetar të këtij subjekti politik” , ka theksuar ai.

Duke folur për gjendjen e brendshme në PDK, Qarri pretendon se përplasjet ndërmjet figurave të partisë dhe fuqizimi i fraksioneve kanë krijuar një situatë të vështirë për të ardhmen e saj. Ai përmend edhe konfliktet politike ndërmjet Sami Lushtakut dhe Ramiz Lladrovcit, të cilat, sipas tij, janë tregues të problemeve më të thella organizative.

“Shto gjithë kësaj faktin, se pas vendimit dënues ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit, nga Gjykata Speciale në Hagë, fraksionet brenda kësaj partie janë fuqizuar tej mase dhe kanë ngrit krye edhe më tepër ndërsa PDK ka marrë teposhtën totale pa mundësi frenimi të shpejtë e të shëndetshëm.

Andaj pas disa tronditjesh të njëpasnjëshme, duke filluar nga shpërthimi i konfliktit të hapur të Sami Lushtakut & Co, me Ramiz Lladrovcin, tanimë kriza në PDK ka arritur kulmin dhe po shihet qartë, se është në rënie të lirë e cila bashkë me LDK-në dhe AAK-në, në zgjedhjet e radhës, duket se do ti bëjnë konkurrencë të fort, njëra tjetrës për sigurimin e vendit të parafundit në ranglistën e partive pjesëmarrëse në Kuvend, nëse nuk rrezikojnë ndonjëra nga këto tria, për të rënë edhe nën pragun zgjedhor”, është shprehur Qarri.

Sa i përket vetë dorëheqjes, analisti u referohet raportimeve mediatike, duke theksuar se ende mungon konfirmimi zyrtar i një vendimi përfundimtar. Ai përmend gjithashtu pretendimet për mundësinë që Vlora Çitaku të marrë përkohësisht drejtimin e partisë, megjithëse një zhvillim i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

“Sa i takon dorëheqjes së Bedri Hamzës ka raportime të pa-kontestuara nga disa media publike, megjithëse për momentin ende të pakonfirmuara zyrtarisht nga PDK, që ka njoftuar personalisht edhe kryesinë e partisë, se ai ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të këtij segmenti politik, ani pse PDK duket se ka vendosur ta shpall këtë në ditët në vijim.

Ndërsa pas dorëheqjes së Bedri Hamzës dhe zhvillimeve më të reja në PDK, në kuloare të brendshme flitet me siguri relative, se tanimë nënkryetarja e deritanishme Vlora Çitaku ka marrë përsipër udhëheqjen e përkohshme të partisë dhe bashkë me anëtarët aktual të kryesisë së PDK-së, këtij subjekt në tronditje të thellë edhe konstitucionale, do ti prijnë deri në Kuvendin e ardhshëm dhe zgjedhjet e brendshme, të cilat në PDK, pritet të mbahen në fillim të vitit 2027, nëse nuk shpartallohet tërësisht dhe ndahet në disa fraksione rajonale deri atëherë” , ka deklaruar Qarri.

Analisti konsideron se qëndrimi i zyrës për informim të PDK-së nuk i ka dhënë fund paqartësive rreth së ardhmes së Hamzës. Sipas tij, përveç raporteve të brendshme, edhe qëndrimet e ndryshme ndaj zhvillimeve të fundit institucionale mund të kenë ndikuar në vendimin e paralajmëruar.

“Kështu që si pjesë e kësaj loje mediatiko-poilitike, zyra për Informim e PDK-së nuk e ka pohuar as mohuar vendimin për dorëheqje të z.

Bedri Hamza dhe vetëm sa është prononcuar shkurt se gjoja për momentin nuk ka një vendim zyrtar për dorëheqjen e tij, duke shtuar se Bedri Hamza ka paralajmëruar që do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë më për kryetar të PDK-së, pasi të nisë procesi i zgjedhjeve të brendshme në parti.

Përveç imazhit të dëmtuar dhe bilancit të tij të ulët politik, shqetësim serioz që kanë quar në dorëheqjen e ‘parakohshme’ të Bedri Hamzës, nga pozita e kryetarit të PDK-së, mendohet të kenë thirrjet më të reja nga element destruktiv brenda kësaj partie, për organizim të protestave dhe shkaktimin e trazirave, vetëm pak kohë pas votimit të ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend dhe zgjedhjen e presidentes së shtetit, akte që u duk se i vendosën gjërat në binar dhe Kosova do të ecë e papenguar në agjendën e saj të shtetndërtimit dhe rrugëtimin e inkuadrimeve euroatlantike” , ka theksuar ai.

Në fund, Qarri vlerëson se zhvillimet e fundit mund të kenë pasoja jo vetëm për drejtimin e PDK-së, por edhe për vazhdimësinë e karrierës politike të Bedri Hamzës. Sipas tij, përplasjet e brendshme dhe situata e krijuar pas zhvillimeve institucionale mund ta shtyjnë Hamzën të largohet edhe më gjerësisht nga angazhimi politik.

“Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, pas vendimit të Gjykatës Speciale, gjendja e brendshme në PDK, është kthyer në tërmet shkatërrues fraksional, ndërsa zgjedhja e presidentes së shtetit dhe krijimi i institucioneve të qëndrueshme qeverisëse, me të cilat LVV dhe kryeministri Kurti kanë siguruar edhe një mandat të plotë udhëheqës katërvjeçar në Kosovë, akte që siç dihet nuk janë pajtuar asnjëherë grupet e inkriminuara brenda PDK-së, të cilat, pas miratimit të ‘Ligjit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurive të Kundërligjshme’ kanë rënë në siklet të madh se tani duhet të përballen përfundimisht edhe me drejtësinë, kanë detyruar Bedri Hamzën, që jo vetëm të jap dorëheqje të parakohshme nga pozita formale e kryetarit të PDK-së, por ndoshta të përshëndetet përfundimisht edhe me politikën, që në PDK, ku ai përveçse ka startuar rastësisht edhe ka dështuar keq në këtë profesion dhe asnjëherë nuk i ka ra, as për së-afërmi-‘taman’!”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Burjani: PDK nuk ka lider më të përshtatshëm se Hamza, largimi i tij do të ishte gabim i madh Në anën tjetër, analisti Blerim Burjani ka një vlerësim tjetër për situatën e krijuar në Partinë Demokratike të Kosovës dhe paralajmërimin e Bedri Hamzës për largim nga drejtimi i saj.

Blerim Burjani Burjani në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” konsideron se PDK-ja po përballet me mungesë të alternativave të përshtatshme për lidership, ndërsa Hamza, sipas tij, ishte një figurë më e pranueshme dhe më e moderuar për drejtimin e kësaj partie.

Për këtë arsye, ai e konsideron të pakuptimtë mundësinë që Hamza të shtyhet drejt dorëheqjes, veçanërisht në një periudhë kur, sipas vlerësimit të tij, PDK-ja nuk ndodhet në një pozitë të pafavorshme politike. “PDK është në krizë për lider, edhe pse Bedriu ishte më i pranueshëm, më normal për të udhëhequr një parti si PDK.

Pra, është absurd të shtyhet që ai të dorëhiqet në një situatë kur PDK nuk është keq, por në favor” , ka deklaruar Burjani për “Bota sot”. Ai vlerëson se problemi kryesor për PDK-në mund të jetë gjetja e një pasardhësi të Hamzës, duke shprehur dyshime se partia ka figura që mund të ofrojnë një drejtim më të mirë.

Burjani ngre gjithashtu shqetësimin për përzgjedhjen e figurave që mund të kenë probleme me ligjin, duke theksuar se kjo do të ishte e dëmshme për imazhin dhe të ardhmen e partisë. “Ata nuk kanë kënd e propozojnë. Cilindo ta propozojnë, s’ka asgjë prej tij. Ata nuk mund të propozojnë njerëz me probleme me rendin dhe ligjin, të tillë ka plot në PDK.

Nëse luajnë me Hamzën, do të jetë një nga gabimet më të mëdha të kësaj partie”, është shprehur ai. Duke folur për të ardhmen politike të Bedri Hamzës, Burjani nuk shpreh optimizëm për mundësinë që ai të vazhdojë të ketë ndikim të rëndësishëm brenda PDK-së pas largimit nga posti i kryetarit.

Ai e krahason perspektivën politike të Hamzës me atë të ish-kryetarit Memli Krasniqi, duke vlerësuar se Hamza mund të mbetet pjesë e Kuvendit, por pa ndonjë rol vendimtar në politikën e partisë. “E ardhmja e Hamzës është si e Memlit, pa të ardhme, mundësisht të jetë deputet pa ndikim në politikën e PDK-së”, ka deklaruar Burjani.

Megjithatë, analisti vazhdon të konsiderojë se PDK-ja nuk ka aktualisht një alternativë më të mirë se Hamza për drejtimin e saj. Sipas tij, përgjegjësia për rezultatet e deritanishme politike nuk duhet t’i faturohet vetëm Hamzës, por edhe vetë partisë dhe vendimeve të saj për kandidaturat në garat zgjedhore.

“Më të mirë se Hamzën nuk ka në PDK, edhe pse dy herë kishte humbur në kandidaturën për kryeministër, por këtu fajtore është partia që kandidon kot dhe e di mirë se s’ka gjë prej asaj pune” , përmbyll Blerim Burjani për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot