Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela u ka bërë thirrje shqiptarëve, veçanërisht diasporës, që të mbështesin kandidatin shqiptar, Arkin Jahiju, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës.
Sela theksoi se fitorja e një kandidati shqiptar në këtë komunë është e rëndësishme, ndërsa shprehu publikisht gatishmërinë për të qenë në dispozicion të Jahijut gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve. “Pa marrë parasysh gjithçkaje, shqiptarë, ju lutem, diaspora, ju lutem, është shumë e rëndësishme që në Bërvenicë të fitojë kandidati shqiptar. Këtë garë e udhëheq Arkin Jahiju.
Dhe po e them publikisht, jam në dispozicion të shqiptarit Arkin Jahiju në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, si ta mendojë ai”, deklaroi Sela në “Shenja”. Sela gjithashtu e cilësoi si skandaloze deklaratën e zëdhënësit të VLEN-it, Driton Sulejmani, lidhur me qëndrimin e kësaj partie për mbështetjen e kandidatëve në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës.
“Skandaloze. Deklarata e Driton Sulejmanit, zëvendësministrit të Arsimit, është deklaratë prej një servili dhe është një deklaratë e një pakurrizori, i cili deklaroi se kryesia e VLEN-it do të diskutojë në atë drejtim se kush do të përkrahet në raundin e dytë. Folën qytetarët e Bërvenicës, folën qartazi. Dhe këtu nuk është më çështje e qëndrimit të subjekteve politike.
Kanë folur qytetarët dhe ne vetëm duhet të dëgjojmë zërin e tyre”, deklaroi Sela.
