Këshilli i Ministrave (Shqipëri) miratoi sot vendimin për dhënie shpërblimi punonjësve të Policisë së Shtetit dhe për një shtesë në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, miratuar për vitin 2026.
Ky vendim u miratua në mbështetje të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të ligjit “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme.
Sipas vendimit qeveria do të japë shpërblim financiar në masën prej 269 120 lekësh për 2 750 punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike. Në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 740 080 000 lekësh.
Efekti financiar, në shumën prej 740 080 000 lekësh, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2026. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përcakton listën emërore të punonjësve të policisë përfitues bazuar në dokumentacionin justifikues dhe kryen procedurat për dhënien e shpërblimit.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
