Me datën në bibliotekën “Ibrahim Rugova,” salla e përurimeve “Teki Dervishi”, u përurua libri me vlerë shkencore “Tapitë e pronave në Vilajetin e Kosovës nga 1847-1910”,nga autorët me reputacion shkencor, Dr. Refike Sulçevsi dhe Dr. Jusuf Osmani. Përurimi ishte pjesë e aktivitetit të SHI. “ Jakova” në Gjakovë.
Si zakonisht, publiku gjakovarë me pjesëmarrjen e tyre në këtë përurim, jo vetëm se tregoi vetëdijen dhe kulturën afirmative gjakovare, por vlerësoi rëndësinë e veprës për kohën e sundimin Osman, pastaj nën sundimin serbo-malazez kohë të gjatë. Në fillim të përurimit fjalën e rastit e mori kryetari i SHI. ”Jakova” Prof.Dr.
Ruzhdi Sefa i cili ndër të tjera vlerësoi lartë rëndësinë e librit dhe punën e palodhshme të autorëve të librit. Ndër të tjera ai tha: Falënderoj shumë autorët e librit prezent si dhe recensentët e veprës, prof..dr. Fatmir Sejdiu, Mehmet Zeki Adh dhe prof. dr. Ilijaz Rexha për kontributin e tyre dhe vlerësimin shkencor.
Ndihem keq që këto dy figura sot nuk janë mes nesh për arsyera objektive. Në vazhdim, prof.. Ruzhdi Sefa shtoi se dokumentet arkivore nuk janë thjesht letra të ruajtura nga e kaluara. Ato janë dëshmi e jetës, pronës, të vendbanimeve dhe të marrëdhënieve shoqërore të njerëzve që kanë jetuar para nesh.
Përmes tyre, historia largohet nga hamendsimet dhe mbështetet në fakte e burime të dokumentuara. Hulumtimi dhe publikimi i tapive të pronave nga periudha 1847-1910 na ofron mundësinë të njohim më mirë jo vetëm organizimin e pronësisë në atë kohë ,por edhe emrat e pronarëve, vendbanimet dhe gjurmët e jetës shoqërore në territorin e Vilajetit të Kosovës.
Prandaj, botimi i kësaj vepre meriton vlerësim, sepse një burim historik që mbetet i panjohur për publikun, nuk mund ta japë plotësisht kontributin e vet në studimin e së kaluarës, tha prof.. Ruzhdi Sefa..
Në vijim të përurimit, fjalën morë dy autorët e librit, të cilët elaboruan para publikut gjakovarë punën e gjatë në Arkivin e Kadastrës dhe Tapive në Ankara të Tuqisë, me të dhënat përkatëse për çdo vendbanim të Vilajetit të Kosovës. Dr.
Refike Sulçevsi, turkologe, osmanologe, Hulumtimi, regjistrimi ,përpunimi, digjitalizimi dhe publikimi i tapive të pronave të Vilajetit të Kosovës 1847-1910,ishte tema elaboruese para publikut gjakovarë. Ndërsa Prof.dr.
Jusuf Osmani, doktor i arkivistikës, foli për Tapitë e pronave në Kazanë e Gjakovës, vendbanimet, emrat e pronarëve të tapive, llojet e pronave, lagjet dhe rrugët në Gjakovë, të argumentuara me ilustrime, dokumente, foto e harta.
Libri “Tapitë e pronave në Vilajetin e Kosovës 1847-1910” është i botuar në gjuhën shqipe dhe turke, andaj ka një rëndësi të veçantë shkencore e hulumtuese me përparësi nga ato që i kanë shkruar të tjerët para nesh për hesape të veta hegjemoniste.
Autorët e librit u ballafaquan edhe me disa pyetje nga publiku gjakovarë për të kaluarën, për historinë e gjërave që nuk ishin të njohura për të gjithë . Publiku mori përgjigje adekuate profesionale. Në mbarim të përurimi, kryetari i SHI ”Jakova” në Gjakovë, z. Ruzhdi Sefa, për dy autorët e librit ndau Mirënjohje për kontributin e tyre në këtë lami shkencore.
