Mjafton një fotografi e lavatriçes që t’ju gjejnë: Inteligjenca

0%

Inteligjenca artificiale po u ndihmon prej vitesh forcave të policisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por një aplikim i ri i kësaj teknologjie po e çon mbikëqyrjen digjitale në një nivel të ri. Policia në Los Angeles dhe zyra e sherifit të Miami-Dade po përdorin një mjet që mund të identifikojë vendndodhjen e saktë të një objekti vetëm nga një fotografi e brendshme e tij.

Sistemi, i quajtur Raven, është zhvilluar nga kompania Graylark Technologies dhe përfaqëson një version të avancuar të programit të saj të mëparshëm GeoSpy, të cilit i është shtuar mundësia për të identifikuar banesa. Si e gjen adresën pa të dhëna GPS?

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Daniel Heinen, ka demonstruar se si programi mund të identifikojë një objekt edhe kur në fotografi shihen vetëm një lavatriçe dhe një tharëse rrobash. Ndryshe nga kërkimi i zakonshëm i kundërt i fotografive, Raven përdor inteligjencën artificiale për të analizuar detajet arkitekturore, rregullimin e hapësirës dhe pajisjet që ndodhen në dhomë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Më pas, këto të dhëna i krahason me një bazë të gjerë të dhënash për të gjetur përputhje, edhe kur fotografitë janë dukshëm të ndryshme. Programi përdor të dhëna nga platformat e reklamimit të pronave dhe të banesave me qira afatshkurtër.

Sipas raportimit të portalit 404 Media , rezultatet e gjeneruara nga programi përmbajnë referenca nga njoftimet në Airbnb dhe Vrbo, ndërsa demonstrimet sugjerojnë se shfrytëzohen edhe të dhëna nga Zillow.

Ndihmë për policinë, por edhe rrezik për privatësinë Sipas Heinen, banesat që jepen me qira për periudha të shkurtra mund të përdoren edhe për trafikim të qenieve njerëzore dhe forma të ndryshme shfrytëzimi. Për hetuesit, aftësia për të lidhur një fotografi anonime të një dhome me një adresë konkrete mund të shërbejë si pikënisje për hetime të mëtejshme.

Megjithatë, mbledhja masive e fotografive ka ngritur shqetësime te kompanitë, platformat e të cilave përdoren për krijimin e bazës së të dhënave. Airbnb ka deklaruar se ka masa teknike kundër mbledhjes së automatizuar të të dhënave dhe se po e shqyrton rastin.

Ndërkaq, Zillow ka paralajmëruar se kjo praktikë shkel kushtet e përdorimit të platformës dhe ka lënë të hapur mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore. Vrbo nuk kishte reaguar lidhur me këto zbulime në kohën e raportimit. E kaluara problematike e teknologjisë Raven ka ngritur shqetësime për keqpërdorimin e teknologjive të mbikëqyrjes dhe cenimin e privatësisë.

Kur versioni i mëparshëm i programit, GeoSpy, ishte i qasshëm publikisht, disa përdorues në platformën Discord kishin kërkuar ndihmë për ta përdorur atë për të përndjekur gra. Pas këtyre incidenteve, kompania Graylark Technologies e kufizoi qasjen në program, duke e lejuar përdorimin e tij vetëm për klientët korporativë dhe institucionet shtetërore.

Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se kufizimi i qasjes nuk garanton siguri të plotë. Në të kaluarën, dhjetëra policë janë akuzuar për keqpërdorimin e sistemeve të ngjashme për qëllime private. Kështu, ndërsa teknologjia mund t’u ofrojë hetuesve mjete të reja për luftimin e krimit, ajo ngre njëkohësisht pyetje serioze për kufijtë e mbikëqyrjes dhe mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve.

Burimi: Telegrafi