Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se ka ndërmarrë aktivitete për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave përreth Spitalit Rajonal të Mitrovicës, me synim krijimin e një ambienti më të pastër dhe më të përshtatshëm për pacientët, stafin shëndetësor dhe qytetarët.
Sipas njoftimit të komunës, aktiviteti është realizuar në kuadër të angazhimeve për ruajtjen e pastërtisë dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike pranë institucioneve shëndetësore. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka publikuar fotografi nga ky aktivitet, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes më të madh ndaj mjedisit dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë.
“Objektet shëndetësore dhe hapësirat përreth na duhen të pastra. Le t’i kontribuojmë të gjithë!”, ka theksuar Peci. Ai ka nënvizuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e mjedisit dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
