Parlamenti i landit Saksoni-Anhaltkërkon ndërprerjen e menjëhershme të të gjithë ndihmës financiare dhe ushtarake gjermane për Ukrainën. Parlamenti e miratoi këtë rezolutë në një seancë të posaçme me votat e partive Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe Aleanca Sahra Wagenknecht për Arsye dhe Drejtësi (BSW).
Të dyja partitë i kanë bërë thirrje kryeministrit aktual të Saksoni-Anhaltit, Sven Schulze (CDU), që të mbështesë bisedimet e paqes me Rusinë në Bundesrat, ku përfaqësohen 16 landet gjermane. Meqenëse landet nuk kanë kompetenca vendimtare në politikën e jashtme, kjo rezolutë nuk pritet të ketë ndikim konkret në politikën e Gjermanisë ndaj Ukrainës.
Në emër të BSW-së, deputetja Claudia Wittig iu drejtua kryeministrit me fjalët: ” Është përgjegjësia juaj të angazhoheni më në fund për paqe, në çdo mënyrë të mundshme. ” Nisma ka shkaktuar kritika të ashpra nga të gjitha partitë e tjera.
“Kushdo që kërkon armëpushim vetëm nga pala e sulmuar nuk kërkon paqe, por kapitullim”, deklaroi deputeti i CDU-së në parlamentin e landit, Stefan Ruland. “Ky është një përmbysje e roleve mes viktimës dhe agresorit”, shtoi ai. Seanca e jashtëzakonshme u zhvillua në kontekstin e negociatave për formimin e një qeverie të re në Saksoni-Anhalt.
Alternativa për Gjermaninë (AfD) fitoi zgjedhjet e shtatorit 2026 me afro 44 për qind të votave, por nuk arriti të sigurojë shumicën absolute në parlamentin e landit. Për këtë arsye, ajo varet nga mbështetja e partive të tjera për të formuar qeverinë. BSW-ja mund të luajë një rol vendimtar në zgjedhjen e kandidatit të AfD-së për kryeministër.
AfD dhe BSW: qëndrime të ngjashme ndaj Putinit BSW-ja është e vetmja parti e gatshme të zhvillojë bisedime zyrtare për një koalicion me AfD-në. Kjo parti, e cila e ka origjinën në kampin politik të së majtës, mezi e kaloi pragun zgjedhor, por mund të ketë një rol kyç në formimin e qeverisë.
AfD-ja në këtë land klasifikohet si “pjesërisht ekstremiste e konfirmuar e krahut të djathtë”, çka ka bërë që partitë e tjera të refuzojnë bashkëpunimin me të. Vëzhguesit e shohin rezolutën e përbashkët të AfD-së dhe BSW-së si sinjal të një bashkëpunimi më të ngushtë dhe afatgjatë mes dy partive, të cilat vijnë nga kampe ideologjike shumë të ndryshme .
“Pika e përbashkët është refuzimi i elitës politike, qëndrimi pro-Putin dhe kritikat ndaj mbështetjes gjermane për Ukrainën”, shpjegon politologu Armin Pfahl-Traughber nga Universiteti i Shkencave Administrative të Aplikuara, në një intervistë për DW. BSW-ja u themelua në vitin 2024 pas shkëputjes nga Partia e Majtë.
Themeluesja e saj, Sahra Wagenknecht, sipas së cilës partia fillimisht mori emrin, konsiderohej një figurë kontroverse e së majtës gjermane. Brenda Partisë së Majtë, ajo ishte përfaqësuesja më e njohur e të ashtuquajturës “Platformë Komuniste”, e cila kishte lidhje të forta me Rusinë.
Megjithatë, qëndrimet e saj socio-politikisht konservatore dhe kritikat ndaj politikës gjermane të migracionit shkaktuan gjithnjë e më shumë kundërshtime brenda partisë, duke çuar përfundimisht në largimin e saj dhe krijimin e BSW-së. Edhe politikanët e AfD-së kanë shprehur vazhdimisht simpati për regjimin e Vladimir Putinit.
Kryetari me ndikim i degës së AfD-së në landin e Tyringjisë, Björn Höcke, e quajti presidentin rus “kampioni i botës së shteteve të lira dhe sovrane” në vitin 2023, një vit pas nisjes së agresionit rus kundër Ukrainës. Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin e mundshëm mes AfD-së dhe BSW-së, një takim i zhvilluar në fillim të tetorit 2026 tërhoqi vëmendje të madhe.
Me ftesë të një shtëpie botuese të ekstremit të djathtë, përfaqësues të të dy partive u takuan në Saksoni-Anhalt në një darkë të organizuar për ndërtimin e besimit. Në takim morën pjesë figura kontroverse nga qarqe dogmatike të ekstremit të djathtë dhe të majtë. Sipas deklaratave të tyre, të dyja palët kërkuan një bashkëpunim të bazuar në besim, në një atmosferë miqësore.
Jürgen Elsässer, botues dhe kryeredaktor i revistës Compact, prej vitesh promovon idenë e një “fronti tërthor” mes së majtës dhe së djathtës ekstreme në luftën kundër rendit politik të vendosur në Gjermani. Ai përpiqet të ndërtojë ura bashkëpunimi mes këtyre dy kampeve.
“Të dyja partitë janë zëdhënëse të Kremlinit” Një shembull historik i kësaj qasjeje daton në vitet 1930, pak para ardhjes në pushtet të Adolf Hitlerit dhe nacional-socialistëve. Në atë kohë, forcat nacional-konservatore kërkuan bashkëpunim me të majtën për të krijuar shumicën e tyre.
Politologu Armin Pfahl-Traughber shpjegon për DW: “Qëllimi nuk ishte shpëtimi i demokracisë nga nacional-socialistët, por vendosja e një rendi autoritar pa përfshirjen e tyre. ” Kjo ide dështoi dhe pasuan dymbëdhjetë vjet terror nazist dhe Lufta e Dytë Botërore. Pfahl-Traughber nuk e konsideron bashkëpunimin mes AfD-së dhe BSW-së si një aleancë mes së djathtës dhe së majtës ekstreme.
“Dyshoj nëse BSW-ja mund të konsiderohet ende pjesë e së majtës politike”, thotë ai. Sipas tij, edhe pse Sahra Wagenknecht ka një të kaluar të majtë, ajo dhe bashkëpunëtorët e saj, ndonëse mbështesin politika ekonomike të majta, pozicionohen më djathtas në çështjet kulturore dhe shoqërore.
Historiani dhe publicisti i njohur gjerman Ilko-Sascha Kowalczuk nuk e konsideron fare BSW-në një parti të së majtës. Ai deklaroi për DW: “BSW nuk ka qenë kurrë e majtë, por gjithmonë reaksionare.” Kowalczuk i sheh si AfD-në ashtu edhe BSW-në si kërcënime për demokracinë: “BSW dhe AfD janë dy anët e së njëjtës monedhë.
Të dyja janë zëdhënëse të Kremlinit, të dyja ndjekin objektiva të ngjashëm në politikën e brendshme dhe synojnë një transformim antidemokratik të shtetit drejt një modeli autoritar.” Solidariteti me Ukrainën në rënie? Edhe pse rezoluta e parlamentit të Saksoni-Anhaltit nuk ka gjasa të ndikojë drejtpërdrejt në politikën gjermane ndaj Ukrainës, Kowalczuk paralajmëron për pasojat afatgjata.
“AfD dhe BSW mbeten ende të izoluara politikisht, por ato po arrijnë segmente të gjera të shoqërisë, veçanërisht në Gjermaninë Lindore. Dobësimi i solidaritetit me Ukrainën do të vazhdojë dhe së shpejti mund të prekë edhe pjesë më të mëdha të SPD-së dhe CDU-s ë”, tha ai për DW. / DW
