Opinionisti Hafiz Shala ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk duhet të prononcohet për zhvillimet politike në Shqipëri, duke pretenduar se Edi Rama ka bashkëpunuar me Aleksandar Vuçiqin dhe ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës.
Shala ka kritikuar gjithashtu, sipas tij, përpjekjet për dobësimin e Kurtit dhe ka shprehur qëndrimin se tubimet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë mund të jenë përdorur për qëllime politike.
Në reagimin e tij, ai ka theksuar se në Hagë po gjykohen individë të UÇK-së dhe jo e gjithë organizata apo populli shqiptar, duke kërkuar që procesi gjyqësor të zhvillohet me profesionalizëm, drejtësi dhe paanshmëri. Reagimi i plotë i Shalës: A duhet të prononcohet Kryeministri Kurti rreth situatës në Shqipëri? Nuk mendoj se z.
Kurti duhet të prononcohet rreth situatës në Shqipëri, për arsyet e mëposhtme: 1. Sepse Vuçiqi i Tiranës, gjatë gjithë mandatit të tij, ka bashkëpunuar me Vuçiqin e Beogradit rreth agjendave të tij, duke filluar nga marrëveshjet katastrofike kundër sovranitetit të Dardanisë, ku përfshihej edhe Thaçi, e deri te nisma «Ballkani i Hapur», ndarja e veriut dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pa kërkesën e Vuçiqit, por me ofertën nga ana e Thaçit, sipas sugjerimeve të Tiranës. 2.
Injorimi i Kurtit nga Vuçiqi i Tiranës në takimet ndërkombëtare dhe bashkërendimi i veprimeve me Vuçiqin e Beogradit. Kjo është kurtha e fundit ndaj Kurtit, si një mundësi për ta larguar nga pushteti. 3. Përzierja e tij në punët e brendshme të Dardanisë, duke filluar nga ndërhyrjet përmes ish-presidentes, në mënyrë arrogante, e deri te çështjet që lidhen me sekretet shtetërore. 4.
Mbajtja nën kontroll e partive opozitare dhe dirigjimi i veprimeve të tyre për dobësimin dhe rrëzimin e Kurtit, në përpjekje për t’ia zvogëluar përkrahjen popullore, por pa sukses. 5.
Organizimi i tubimeve, gjoja në përkrahje të të akuzuarve në Hagë, në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, pa pjesëmarrjen e tij fizike dhe pa pjesëmarrjen e Familjes Jashari, apo pa fotografinë e Komandantit Legjendar, themeluesit dhe udhëheqësit të UÇK-së.
Këto familje, sipas qëndrimit tim, ia mbyllën derën për arsye se, duke u përqafuar me Vuçiqin e Beogradit, hyrja e tij në këtë familje nuk mund të lejohet në cilësinë e një tradhtari. Ai nuk u turpërua as kur një serb nga Beogradi, në shenjë kërkimfaljeje për masakrën ndaj kësaj familjeje, vendosi lule mbi varrin e vajzës shtatëvjeçare. 6.
Ai kurrë dhe asnjëherë nuk i vizitoi varrezat e martirëve gjithandej Dardanisë. 7. Mosvotimi i rezolutës për gjenocidin serb ndaj vëllezërve tanë. Nuk jam i sigurt nëse kjo është e vërtetë për çdo rast, por çështja meriton të sqarohet. 8.
Çfarëdo deklarate që mund të bëjë Kurti, ai do ta interpretojë si sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetes, veçanërisht pas brohoritjeve të emrit të Kurtit në tubimet historike në Shqipëri. 9. Demonstratat e OVL-UÇK-së, sipas bindjes sime, nuk janë organizuar pa ndikimin e tij nga prapaskena.
Ai mund t’i shohë ato si një mundësi për ta dobësuar ndikimin e Kurtit në mbarë hapësirën shqiptare, sidomos kur ky i fundit u del në mbrojtje shqiptarëve dhe ndikon në bashkimin e tyre rreth një qëndrimi të përbashkët.
Kjo është dëshmuar në rastin e Dardanisë Lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), si dhe në çështjet që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. 11.Kurti e tejkaloi përpjekjen për ta destabilizuar pushtetin përmes tubimeve, gjoja në përkrahje të udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, të cilën e përballoi me mençuri.
Pas dy vitesh ngërçi rreth zgjedhjes së presidentit apo presidentes dhe bllokadës së organizuar nga opozita, në momentin e fundit, me përkrahjen e SHBA-së, u gjet zgjidhja e duhur dhe u instaluan organet legjitime shtetërore, duke i hapur rrugë funksionimit normal të shtetit dhe marrjes së vendimeve në interes të qytetarëve. 11.Nuk jam i sigurt nëse kundërshtimi i Gjykatës Speciale në nivel shtetëror do të kalojë ashtu siç e kanë menduar propozuesit e kësaj rezolute nga Partia Demokratike, të përkrahur edhe nga Aleanca.
Edhe këtu, sipas mendimit tim, qëllimet ishin djallëzore: ta fusnin Qeverinë në konflikt, kryesisht me BE-në dhe SHBA-në. Kjo do të thoshte ta vendosnim shtetin në kundërshtim me ata që na shpëtuan, na çliruan dhe na ndihmuan të bëhemi shtet, duke u kujdesur vazhdimisht për sigurinë tonë. 12.
Në gjithë këtë kompleksitet të situatës, me siguri duhet të ketë mbikëqyrje dhe të insistohet që procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve dhe vendimet për ta të jenë në nivelin më të lartë të profesionalizmit, drejtësisë dhe paanshmërisë, veçanërisht nëse pretendohet se ky proces po zhvillohet me standarde të ndryshme nga gjykimet e tjera në këtë tribunal. 13.
Pse u lanë anash familjet e të dëmtuarve dhe personalitetet politike e ushtarake, pa e drejtuar gishtin ndaj askujt? Do të duhej të ishte detyrë e kësaj gjykate që, në bazë të provave të vlefshme, të japë informata të qarta dhe të argumentuara, mbi të cilat duhet të mbështetet edhe aktgjykimi përfundimtar. Dhe, përfundimisht, në Hagë nuk po gjykohet UÇK-ja.
Po të ishte kështu, do të nënkuptonte se po gjykohet i tërë populli shqiptar, jo vetëm ai i Dardanisë, por edhe shqiptarët e të gjitha trojeve etnike që morën pjesë në luftën çlirimtare për mbrojtjen e qenies së tyre nga gjenocidi serb.
Historia e popullit shqiptar është shënuar nga shekuj përpjekjesh, vuajtjesh, shpërnguljesh dhe humbjesh të trojeve, të cilat kanë lënë gjurmë e plagë të thella në kujtesën tonë kolektive. Në Hagë po gjykohen individë të UÇK-së, jo e tërë UÇK-ja dhe as populli shqiptar. Askush mbi Dardaninë!
