Presidenti amerikan Donald Trump ka pezulluar zbatimin e sanksioneve dhe tarifave të reja kundër Rusisë, të cilat ishin miratuar nga Kongresi për të shtuar presionin ekonomik ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë. Vendimi u mor përmes një urdhri ekzekutiv të nënshkruar të premten, më 16 tetor, vetëm disa ditë para se masat të hynin në fuqi.
Në urdhër, Trump thotë se i ka dorëzuar Kongresit certifikimin se ky përjashtim është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Ligji i jep presidentit të drejtën t’i pezullojë sanksionet, me kusht që të njoftojë Kongresin dhe t’i dorëzojë një raport me arsyetimin.
Ligji, i njohur si “Graham Act”, ishte nënshkruar nga vetë Trump muajin e kaluar dhe synonte të kufizonte të ardhurat që Rusia përdor për vazhdimin e luftës në Ukrainë.
Paketa parashihte, ndër të tjera, një tarifë prej 500 për qind për mallrat ruse dhe një tarifë të mundshme prej 100 për qind ndaj blerësve kryesorë të naftës dhe gazit rus, si dhe ndaj vendeve që ndihmojnë Moskën të shmangë sanksionet. Urdhri ekzekutiv nuk i përmend emrat e këtyre vendeve.
Përjashtimi mbetet në fuqi derisa presidenti ose sekretari i Shtetit të vendosin se nevojiten veprime të mëtejshme. Urdhri nuk shfuqizon sanksionet ekzistuese amerikane ndaj Rusisë, të vendosura me urdhra të mëparshëm ekzekutivë.
Vendimi erdhi vetëm një javë pasi Trump njoftoi një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin për të lejuar hedhjen në tregun global të sasive të mëdha të naftës dizel ruse, me synimin e deklaruar për të ulur çmimet e karburanteve. Pezullimi i sanksioneve ka shkaktuar reagime të ashpra në Kongres, përfshirë edhe nga disa ligjvënës republikanë.
Kritikët paralajmërojnë se lehtësimi i presionit ekonomik i siguron Moskës të ardhura shtesë dhe dobëson përpjekjet për ta detyruar Rusinë t’i japë fund luftës. Deputeti demokrat Don Beyer e quajti vendimin një tjetër dorëzim para Putinit dhe tradhti ndaj partnerëve ukrainas.
Vendimi vjen në një kohë tensionesh të shtuara mes Uashingtonit dhe Kievit, ndërsa Trump është përplasur publikisht disa herë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Shtëpia e Bardhë e lidh politikën e saj me mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit dhe me stabilizimin e tregjeve të energjisë.
