Boksieri britanik Daniel Dubois mbrojti titullin kampion e bote në peshën e rëndë, kategoria WBO, pas fitores me nokaut teknik në raundin e dytë ndaj bashkëkombësit të tij Fabio Wardley. Një dominim absolut i Dubois në revanshin mes tyre, 5 muaj pas triumfit në sfidën e parë.
Në duelin e zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës, në ring shkëlqeu vetëm Dubois (24 fitore, 3 humbje në karrierë)), që e hodhi rivalin në tapet që në sekondat e para të raundit të parë. Ai vijoi me këtë ritëm deri në sekondat e fundit, kur gongu shpëtoi Wardley.
Por muzika vijoi edhe në raundin e dytë dhe në sekondat e fundit, stafi i Wardley (20 fitore, 2 humbje e 1 barazim), hodhi peshqirin në tapet, që simbolizon dorëzim. Gjyqtari ndal sfidën dhe Dubois nis festën, tërësisht e merituar, në një duel ku ishte absolut në ring. Ndonëse pritej një sfidë më e fortë, ringu tregoi se Dubois ishte dominues dhe e meritoi plotësisht fitoren.
Wardley shpresonte në një fitore në revansh, por pa sukses, duke u detyruar të pranonte humbjen, në një përballje ku nuk tregoi asgjë nga aftësitë e tij.
