Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin e Oregonit në SHBA, ku një 16-vjeçar ka vrarë tre fëmijë dhe një mësues në një shkollë fillore, përpara se të vritej nga një person i pranishëm në vendngjarje, bëri të ditur policia, raporton BBC. Ngjarja ndodhi të enjten pasdite në shkollën fillore “Silver Rail”, në qytetin e Bendit.
Sipas shefit të policisë së qytetit, Mike Krantz, adoleshenti hyri me forcë në ambientet e shkollës duke qëlluar me armë zjarri drejt dyerve të mbyllura. Më pas, një pjesëtar i komunitetit e ndoqi autorin brenda shkollës dhe u përball me të, duke e qëlluar për vdekje, deklaroi Krantz. Viktimat e mitura ishin përkatësisht 5, 8 dhe 11 vjeç.
Ndërkohë, një fëmijë 7-vjeçar dhe një mësues 54-vjeçar u transportuan në spital në gjendje kritike. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur nëse 16-vjeçari kishte ndonjë lidhje me shkollën. Identiteti i tij dhe ai i viktimave nuk janë publikuar.
