Të paktën 19 persona janë lënduar nga përplasja e një treni të mallrave me një autobus, që ndodhi në veri të Francës. Aksidenti ndodhi pranë qytetit Coquelles, në afërsi të Eurotunelit, ndërsa informacioni u konfirmua nga zyra e prefektit lokal, raporton Reuters. Sipas njoftimit të prefekturës, asnjëri nga të lënduarit nuk është në rrezik për jetën.
Është konfirmuar se në mesin e të lënduarve është edhe shoferi i autobusit, shkruan bbc . Autoritetet ende nuk kanë publikuar detaje për identitetin e personave të tjerë të lënduar apo për natyrën e saktë të lëndimeve të tyre. Përplasja ndodhi jo larg hyrjes së tunelit të mallrave, i cili lidh Francën me Britaninë e Madhe.
Në vendin e aksidentit u dërguan me shpejtësi autoambulancat, policia dhe një helikopter. Rrethanat që çuan në përplasjen e trenit me autobusin janë ende duke u hetuar. Deri më tani, nuk ka informacione zyrtare për shkakun e aksidentit.
